Bashkimi Evropian ka thënë se pajtimi i Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen e planit evropian nuk nënkupton njohje de facto. Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, qëllimi i dialogut nuk është njohja reciproke, por normalizimi i raporteve.
I pyetur në konferencën për media të martën se a është pajtimi i së hënës njohje de facto, Stano është përgjigjur shkurt “Jo”.
“Qëllimi i dialogut s’është njohja. Është normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës dhe përmbajtja e normalizimit caktohet nga dy palët. BE-ja është lehtësuese. Ne nuk diktojmë çfarë të bëjnë. Ne po ju ndihmojmë të arrijnë aty në shpirtin evropian të kompromisit për të mirën e popujve. Mandati i BE-së është të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes finale ligjërisht obliguese për normalizim raportesh”, ka thënë ai.
Pajtimi i Kosovës për përmbajtjen e propozimit evropian, sipas Stanos, është “larg përfundimit të punës”.
“Duhet të punohet në implementim”, ka thënë ai duke shtuar se BE-ja pret që të zbatohen marrëveshjet e kaluara e që palët të përmbahen nga pengesat e procesit.
Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi ka përsëritur se propozimi evropian nënkupton njohje de facto.
Të hënën Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan në Bruksel për ta diskutuar propozimin evropian. Kurti u shpreh pro planit. Ai ka thënë se ishte i gatshëm për ta nënshkruar planin, por se për këtë nuk ishte Vuçiqi. Ndërmjetësi Josep Borrell ka thënë se palët janë shprehur të gatshme të vazhdojnë në diskutimet për zbatim të planit.