BE- paralajmëron “reduktime të përkohshme” të kontakteve me Thaçin


Sikur të mos kishte ndodhur anulimi i takimit në Washington, si pasojë e bërjes publike të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pas dhjetë ditësh, diku më 10 korrik, në Paris do të zhvillohej një samit në nivelin e lartë, me ftesën e presidentit të Francës, Emanuel Macron, dhe me praninë e kancelares gjermane, Merkel, ku do të shënohej rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Por tash nuk dihet se a do të ketë dhe kur do të ketë rifillim të këtij dialogu pasi personi, i cili ishte interlokutor kryesor në të nga Kosova, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij. BE-ja insiston se dialogu duhet të vazhdojë, shkruan KOHA.

Një diplomat i lartë gjerman në BE u ka thënë gazetarëve se “nuk i komentojnë qëndrimet e Thaçit”, por ka shtuar se “ka ardhur koha që të avancojë dialogu me qëllim të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe avancimin e procesit të integrimeve evropiane”.

Ky diplomat i lartë gjerman ka thënë po ashtu se ka një vullnet nga niveli më i lartë dhe nismë të përbashkët nga Franca e Gjermania që të ketë avancim në dialog. Në këtë drejtim ka përmendur edhe emërimin e përfaqësuesit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, si dëshmi se BE-ja dëshiron të ketë sukses në dialog.