Pas aksionit të së premtes të Policisë së Kosovës në veri ku u mbyllën disa objekte të strukturave paralele, Bashkimi Evropian është shprehur i zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës për siç thotë mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë në Kosovë dhe me partnerët ndërkombëtarë.
BE thekson se operacioni i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren.
“EULEX-i u vendos menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë. BE dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar të de-përshkallëzojë situatën. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren”, thuhet në reagim.
Sipas BE-së, fatkeqësisht thirrjet e tyre janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës.
“BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme. Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialog…”, thuhet në reagim.