BDI-ja paralajmëron largimin nga Qeveria e Maqedonisë


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka njoftuar se ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e BDI-së, do të japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar, në momentin kur opozita do t’i votojë ndryshimet kushtetuese.

Ahmeti në një letër dërguar kryeministrit të Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski ka shkruar se dorëheqjet materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.

“I nderuar Kryeministër, Dimitar Kovaçevski, duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë evropiane, duke patur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do ti votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptarë, duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se dorëheqjet materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.