BDI-ja merr kryeparlamentarin dhe kryeministrin në 100 ditët e fundit të mandatit

Bashkimi Demokratik për Integrim do të marrë postin e kryeparlamentarit në Maqedoninë e Veriut në mandatin e ri, është bërë e ditur pas zyrtarizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Social-Demokrate. Pas zyrtarizimit, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, ka bërë të ditur se në 100 ditët e fundit të mandatit, kryeministri do të përzgjidhet nga partia e udhëhequr nga Ali Ahmeti.

Dy liderët nuk prezantuan planet e tyre për ndarjen e posteve qeveritare. Por, Zaev njoftoi se kryetar i kuvendit do të vazhdojë të jetë Talat Xhaferi nga BDI-ja.

Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që gjatë mandatit katërvjeçar bashkërisht të punojnë në ndarjen e përgjegjësive sikur dhe përbërjes së qeverisë së re.

“Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, raporton REL.

Sa i përket postit të kryeministrit, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kjo kërkesë me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

“Ky vendim që është marrë të martën, pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejtë e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se beson se ky partnerit i radhës së me LSDM-së, do të jetë më i suksesshëm deri më tani.

Por, Zoran Zaev tha se me BDI-në janë pajtuar që 100 ditë e fundit të qeverisë, kryeministri do të propozohet nga BDI-ja.

“Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por, kur vinë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, ka thënë ai.

Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE.