Bayernit i mjaftoi goli i Comanit për ta mposhtur Herthan

Kingsley Coman e shënoi të vetmin gol në ndeshjen të cilën Bayerni e fitoi ndaj Hertha Berlinit për të marshuar sigurt drejt titullit të ri kampion.

Rune Jarstein shkaktoi penallti në fillimin e ndeshjes, ndërsa nga pika e bardhë, Robert Lewanodwski dështoi të shënonte.

Nuk shkoi shumë dhe në minutën e 21-të, Coman realizoi pas asistimit të Thomas Mullerit. Coman shënoi edhe falë devijimit të topit nga Niklas Stark.

Në këtë duel për Herthan debutoi transferimi i ri, Sami Khedira. Khedira luajti sërish në elitën e futbollit gjerman pas 10 vjetësh e 273 ditësh.

Kampioni në fuqi i Gjermanisë ka shënuar të paktën një gol në 51 ndeshjet e fundit garuese, ndërsa Neuer nuk pranoi gol për herën e 200-t në Bundesligë.

Pas 20 ndeshjeve, Bayerni kryeson me 48 pikë, dhjetë më shumë se Leipzigu i vendit të dytë.

Hertha mbetet në pozitën e 15 me 17 pikë pas 19 ndeshjeve të luajtura.