Rikthim i hidhur në “Allianz Arena” për Robert Lewandowskin.
Barcelona bën një paraqitje dinjitoze në Mynih, por kjo nuk mjafton, pasi mposhtet 2-0 nga Bayerni vendas dhe largohet pa pikë drejt Spanjës.
Vëmendja ishte te bomberi polak i katalanëve, që në verë la Bayernin dhe mbrëmjen e sotme u rikthye si kundërshtar, teksa në harkun e 20 minutave pati tre herë mundësinë të ndëshkojë ish shokët e skuadrës, por emocionet nuk e lejuan të tregojë ftohtësinë e zakonshme para portës.
I pafat edhe braziliani Raphinia, që me një goditje nga larg flirtoi me golin, por topi përfundoi jashtë, ndërsa më pas ishte Bayerni që pas një starti të vakët, nisi të marrë kontrollin e lojës.
Sfida u zhbllokua në minutën e 50’, kir pas një këndoreje të ekzekutuar nga Kimmich, Hernandez kërceu saktë me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë, ndërsa katër minuta më vonë ishte Sanële që dyfishoi shifrat.
Deri në fund shifrat mbetën të pandryshuara, me bavarezët që u ngjitën në krye të grupit me 6 pikë të plota dhe hodhën kandidaturën për të siguruar të parët kualifikimin, pasi dy ndeshjet e radhës i kanë ndaj Viktoria Plzen, kundershtarit më të dobët në letër.
Nga ana tjetër, Barcelona dhe Interi do të kenë dy ndeshje radhazi kundër njëra-tjetrës, të cilat do të vendosin jo pak sa i përket skuadrës tjetër që do të avancojë më tej.
Në sfidat e tjera, Liverpool mposhti Ajaxin 2-1, Bayer Leverkusen triumfoi 2-0 ndaj Atletico Madrid, Club Brugge fitoi thellë 0-4 në transfertën ndaj Portos, ndërsa Eintracht Frankfurt mori tre pikët falë suksesit 0-1 në Marseille.