Baton Haxhiu: Kurti duhet të japë dorëheqje, brenda 24 orëve shkeli vendimin e vet


Për analistin Baton Haxhiu, kryeministri i Kosovës duhet së paku të japë dorëheqjen, pasi shkeli vendimin për reciprocitetin me Serbinë, brenda 24 orëve nga fillimi i tensioneve në veri.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Haxhiu u shpreh se Kurti nuk mund të vendosë në emër të popullit të Kosovës dhe më pas ta shkelë vendimin.

“Nëse merr vendim, atëherë ti je shtet dhe duhet të ruash sovranitetin dhe vendimet e një shteti. Nuk mundesh sot të vendosesh në emër të popullit të Kosovës dhe pastaj pas një kohe të vendosësh se ai vendim ishte i gabuar ose i shpejtë.

Brenda 24 orëve e shkel vendimin e vetë, një kryeministër duhet të ikë nga posti i tij nëse është kaq i papërgjegjshëm. Dorëheqja është më e pakta që duhet ta bëjë një kryeministër i tillë. Të kërkonte falje dhe ta çonte vendin në zgjedhje”, theksoi ai.

Pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në veri të Kosovës janë të hapura për qytetarët dhe liria e lëvizjes është e plotë.

Qeveria e Kosovës tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, duke filluar më 1 shtator.