Kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bashkim Nurboja është emëruar ushtrues detyre i guvernatorit të BQK-së.
Vendimi është marrë në mbledhjen e këtij bordi të cilën e ka udhëhequr vetë Nurboja.
Ky vendim është marrë pas skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti.
Bordi i BQK-së arsyetoi vendimin me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës siç është përcaktuar me ligj.
Po ashtu, edhe dy anëtarët joekzekutivë të këtij bordi janë emëruar zëvendësguvernatorë.
“Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i skadimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë, për shkak të skadimit të mandatit, bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga kryetari i bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatën e bordit.
Të martën Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje për të rekomanduar në seancë të Kuvendit përzgjedhjen e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas shumicës së anëtarëve të komisionit, paneli përzgjedhës i BQK-së nuk ka përmbushur kërkesat e ligjit të BQK-së për konkursin për guvernator, andaj është theksuar nevoja që i tërë procesi të rikthehet në pikën zero.
Megjithatë, as për këtë propozim, disa anëtarë të komisionit nuk kanë votuar dhe rrjedhimisht nuk ka pasur vendimmarrje.
Kandidatët që janë propozuar nga paneli përzgjedhës i BQK-së për guvernator janë: Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli, Nexhat Kryeziu, Shkendije Himaj.