Pronarja e një butiku të vogël ka deklaruar se “ndodhet mbi re” pasi fitoi një betejë ligjore me gjigantin e modës “Zara”.
Amber Kotrri, e cila drejton “House of Zana” me bazë në Darlington të Anglisë i ishte thënë nga përfaqësues të “Zara” që biznesi i saj ishte “konceptualisht identik”, raportoi BBC.
Zara kishte argumentuar se kishte një “shkallë të lartë ngjashmërie vizuale dhe orale” midis dy markave.
Por një gjykatë konstatoi se lidhja ishte “tejet e parëndësishme”.
Kotrri, e cila është bashkëshorte e një shqiptari, ka thënë se procesi gjyqësor ishte një peshë e vërtetë mbi supet e saj.
“Ka qenë më shumë se një vit, dhe shumë stresues në jetën time në shtëpi, si nënë e tre fëmijëve të vegjël, si dhe në biznes, pasi janë dashur orë të tëra për përgatitjen e dokumenteve të provave”, ka thënë ajo.
Kotrri tha se kishte marrë një e-mail që e informonte për vendimin e gjykatës ndërsa ishte në një vizitë në teatër me tre fëmijët e saj – por iu deshën disa ditë për të krijuar guximin për ta hapur atë.
“Ishte një dokument mjaft i gjatë dhe unë nuk mund të kuptoja shumë prej tij pasi kisha flutura në bark” tha ajo.
“Ka qenë shumë stresuese – por ne fituam,” shtoi ajo.
“Zara” kishte argumentuar se aplikimi për regjistrim nga marka tregtare “House of Zana” duhej të refuzohej sepse ishte shumë i ngjashëm në emër, gjë që mund të rezultonte në ngatërrimin e një marke tregtare me një tjetër nga klientët.
Julia King, që përfaqëson “Zara”, tha se emri Zana mund të përbënte një “kërcënim serioz” për Zara-n nëse tregu ishte i mbushur me marka që dukeshin të ngjashme.
Kotrri e themeloi dhe e quajti kompaninë e saj në vitin 2019 sipas fjalës shqipe “zana”.
Ajo tha se u kontaktua nga avokatët e Zara-s vitin e kaluar pasi u përpoq të regjistronte markën e saj.
Kotrri tha se ajo kishte qenë gjithashtu në kontakt me më shumë se 10 pronarë të tjerë të bizneseve të vogla të cilët ishin kontaktuar nga kompania e modës, duke u kërkuar atyre që të riemëroheshin për shkak të ngjashmërive me emrat e tyre.
Ajo ka akuzuar Zarën për sjellje “shumë frikësuese”.