Kreu i opozitës së bashkuar shqiptare, Lulzim Basha, ka vazhduar edhe sot vizitën e tij në Kosovë.
Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar shqiptare, po qëndron në Kosovë për një vizitë dyditore.
Ai është takuar me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Pas takimit, Basha u pyet në lidhje me Gjykatën Speciale, raporton lajmi.net.
Ai ndër të tjerash tha se do të vërtetohet kauza e drejtë për liri dhe pavarësisë e popullit të Kosovës.
Ai po ashtu kritikoi edhe drejtësinë ndërkombëtare për animin e saj, e cila siç theksoi Basha, nuk po merret me agresorin por me viktimën.
“Shpreh bindjen se nga përballja me drejtësinë do të përfitojë populli i Kosovës dhe do të vërtetohet kauza e drejtë dhe e pavarësisë së Kosovës. Drejtësia nuk mund të ketë dy kute. Boll më me një peshore e cila anon nga ana e akuzave ndaj viktimës, mbrojtësve të viktimës ndërkohë që krimet çnjerëzore të ndodhura në territorin e Kosovës mbeten pa autor, pa autor sa i përket ekzekutorëve, pa autor sa i përket urdhëruesve, pa autor sa i përket përgjegjësve politik. Në këtë kuadër uroj dhe shpresoj që drejtësia ndërkombëtare do të vendo peshoren në baraspeshë, të paktën duke trajtuar me të njëjtin rigorozitet çdo pretendim për krime lufte edhe sa i përket atyre që kanë kryer agresionin, spastrimin etnik, kryen vrasje dhe masakra ndaj civilëve dhe njerëzve të pa mbrojtur në Kosovë por edhe në trevat e tjera të ish-federatës jugosllave”, deklaroi Basha ndër të tjerash.
Basha tha se sa i përket Gjykatës Speciale, askush nuk mund ta njollos luftën e drejt të UÇK-së.
“Sa i përket çështjes së Gjykatës. E para punës askush dhe asgjë nuk mundet ta njollos luftën e UÇK-së, që ishte luftë mbrojtëse ndaj një agresori për gjenocid. Kosova dhe kosovarët kanë qenë në mbrojtje të pragut të derës. Përballë kanë pasur një makineri të përgatitur dhe urdhëruar për spastrim etnik. Për të cilën drejtuesit e UÇK-së në kushte jo të barabarta kanë dhënë gjithçka për të mbrojtur popullin e tyre”, theksoi Basha.