Lulzim Basha ka përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD. Kreu demokrat doli sot me një deklaratë për median, një ditë para nisjes së Kuvendit, ku njoftoi se Sali Berisha, pas shpalljes non grata nga SHBA, deri në përfundimin e plotë të kësaj çështjeje, nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
“Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.
Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës.
Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Këtë e kam të qartë unë, e ka të qartë çdo anëtar i Partisë Demokratike, e ka të qartë kushdo.
Prandaj dhe ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e z. Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike.
Ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë”.