Basha: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, më shumë fjalë e zhurmë, fare pak vepra

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha në një intervistë për Telegrafi.com, ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Basha tha se në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka më shumë fjalë dhe zhurmë dhe fare pak vepra.

Ka shumë fjalë dhe zhurmë dhe fare pak vepra. Më shumë kemi parë shou se bashkëpunim konkret mes dy shteteve. Bashkëpunimi aktiv ka nevojë për vendosjen e disa prioriteteve të qarta, konkrete dhe me afate të sakta zbatueshmërie. Mbaj mend që në vitin 2005 ne diskutuam gjerësisht se çfarë duhet të bënim për këtë bashkëpunim. Kosova nuk ka dalje në det, por ka shumë aspekte të tjera ekonomike, për të cilat Shqipëria dhe Kosova kanë të njëjtin interes. Dhe ne menjëherë nisëm punën për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, ‘Rrugën e Kombit’. Nuk ka qenë aspak e lehtë, madje ishte mjaft e vështirë. Fonde nuk kishim, sapo PD kishte marrë detyrën për drejtimin e vendit, për më tepër faktorë të ndryshëm gjeopolitikë ishin kundër saj”, tha ai.

Sipas tij, për të mos përmendur më shumë, këta politikanë që sot bëjnë si “baballarë të kombit” e sulmuan egër atë rrugë, duke e quajtur të panevojshme, e më pas hodhën baltë pafund, por këto i përkasin të shkuarës.

“Unë sot jam i lumtur që kjo rrugë është ndërtuar, ndërsa taksën që e vendosën pa të drejtë ne do ta heqim që ditën e parë që do të marrim drejtimin e vendit. Unë dhe ekipi im kemi gati disa projekte te tjera konkrete që do të ndihmonin shtimin e zhvillimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, me impakt pozitiv në të gjithë rajonin”.

Kreu i PD-së në Shqipëri tha se ka më shumë mbledhje dhe ceremoni, sesa zhvillime konkrete me impakt në jetën e banorëve të të dy shteteve tona.

“Një marrëveshje në letër nuk i shërben askujt. Ne duhet t’i shfrytëzojmë potencialet e të dy vendeve me një qëllim të përbashkët: zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Siç ju thashë më sipër, ne kemi gati projekte konkrete që po i diskutojmë që tani me autoritetet e Kosovës dhe do te jemi gati me zbatimin sapo Partia Demokratike të jetë në drejtimin e vendit”, tha ndër të tjera, Basha.