Kombëtarja e Kosovës ka barazuar 2:2 kundër favoritit të grupit, Zvicrës, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kësisoj, Dardanët janë rikthyer fuqishëm me lojë e rezultat pozitiv nën drejtimin e përzgjedhësit Primozh Gliha, pas humbjes befasuese në qershor kundër Bjellorusisë. Heroi i ndeshjes pa dyshim ishte Vedat Muriqi, i cili realizoi të dy golat për Kosovën. Zvicra kaloi në epërsi me golin e Remo Freuler, në minutën e 14-të. Megjithatë, Muriqi barazoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Milot Rashicës, në minutën e 65-të. Mysafirët e rikthyen sërish epërsinë falë autogolit të Amir Rrahmanit, në minutën e 79-të. Mirëpo, as ky gol nuk i zmbrapsi Dardanët, të cilët besuan deri në fund në rezultat pozitiv dhe në sekondat e fundit të shtesës ia arritën qëllimit, kur Vedat Muriqi shënoi sërish, kësaj radhe pas një kombinimi të shkëlqyeshëm Rrahmani-Korenica, ku ky i fundit asistoi me thembër për sulmuesin e Mallorcas, i cili u tregua i saktë nga brendësia e zonës, duke e dërguar topin në rrjetën e mysafirëve. Festa ishte e futbollistëve tanë dhe ‘Dardanëve’ në tribuna. Një barazim ky që rikthen entuziazmin, jep shpresë për paraqitje edhe më të mira në vazhdim dhe pse jo edhe rikthim të fuqishëm në garën për kualifikim në Evropian. Tani Kosova është ngjitur në kuotën e katër pikëve në Grupin I dhe mbetet me shpresa për kualifikim në Evropian, ndonëse shumëçka rreth rrugëtimit të Dardanëve do të varet në ndeshjen e radhës, e cila zhvillohet më 12 shtator kundër Rumanisë në Bukuresht.