Viti 2022 është shënuar si viti më produktiv për sektorin bankar në Kosovë. Bankat komerciale që operojnë në vend, kanë arritur të gjenerojnë fitime rekorde gjatë tërë vitit 2022, me ç’rast vetëm nga janari deri në muajin dhjetor, të njëjtat kanë arkëtuar gjithsej 140.3 milionë euro profit neto. Kjo shifër shënon njëherësh edhe vlerën më të lartë fitimprurëse në historinë e bankave në vend deri më tani.
Viti që e lamë pas, përkundër krizave emergjente me inflacionin dhe energjinë, ka qenë vit produktiv vetëm për bankat në Kosovë. Sektori bankar në vendin tonë ka disa vite që qëndron stabil, përkundër krizave të njëpasnjëshme që kanë ndodhur përgjatë viteve të fundit. Ky sektor është i vetmi që nuk është prekur në masë të madhe as nga kriza e pandemisë Covid-19, e as asaj post-Covid, madje nuk u ndikua fare as nga krizat e mëpastajshme, siç janë inflacioni dhe kriza energjetike që po mbizotëron gjithandej botës qe pothuajse një vit e gjysmë.
Në vendin tonë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj. Të njëjtat, për vetëm 12 muaj të vitit 2022, kanë arritur t’i shtojnë në stoqet e tyre gjithsej 140.3 milionë euro.Reklama e sponzorizuar
Në këto fitime enorme të tyre, kanë kontribuuar në masë të madhe normat e larta të interesit në kredi, si dhe tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin 2022 pothuajse të gjitha janë rritur në emër të inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon, përcjell Buletini Ekonomik.
Për dallim nga shuma prej 131.9 milionë eurove sa ishte profiti neto i tyre në fund të muajit nëntor 2022, vetëm për një muaj, bankat në vend kanë shtuar në llogaritë e tyre edhe 8.4 milionë tjera.
Në anën tjetër, nga janari deri në muajin tetor të 2022-s, bankat në vend kishin regjistruar fitim neto prej mbi 120 milionë eurove, kurse deri në shtator, të njëjtat kanë pasur fitim prej 100 milionëve. Pra, për vetëm një muaj operim, bankat në vend po arrijnë që t’i shtojnë fitimet e tyre për 10 deri në 15 milionë euro (balanca mes muajve).
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin dhjetor të vitit 2022, të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të vitit, ishin në vlerë të 370.4 milionë eurove, për dallim nga muaji nëntor kur të njëjtat ishin në vlerë të 335.4 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 263.3 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 230.0 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 26.6 milionë eurove.
Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin dhjetor mbetën në vlerën 6.3% sa ishin edhe në muajin nëntor, ndërsa një pikë rritjeje në krahasim me tetorin, kur kjo normë ishte 6.2%. Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ra në 5.9% nga 6.1% sa ishte në nëntor, për ato konsumuese mbeti njësoj si në nëntor në 6.4%, nga 6.3% sa ishte në tetor, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare u rrit në 6.5% nga 6.3% sa ishte në muajin nëntor dhe tetor.
Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin nëntor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 350.4 milionë nga 4. 307.6 milionë euro sa ishte vlera në nëntor. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 632.3 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 689.2 milionë tjera për korporatat jo financiare dhe 11.4 milionë euro për korporatat tjera financiare.
Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtuara nëpër bankat komerciale në vend, në fund të vitit 2022 arritën në 5 miliardë e 554.6 milionë euro, nga 5 miliardë e 311.8 milionë sa ishte vlera e tyre në nëntor.
Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 761.8 milionë euro.
Kujtojmë se edhe gjatë vitit të kaluar, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 milionë euro, kurse më 2022 profiti prej 100 milionëve u arrit për vetëm 10 muaj (gjatë shtatorit), ku fitimi neto në fund të këtij muaji ishte 107.7 milionë. /Buletini Ekonomik/