I shkurtër ishte njoftimi i klubit të futbollit Ballkani në rrjetin social Facebook për ndeshjen e radhës kundër Flamurtarit. Në njoftimin për ndeshjen që do ta zhvillojë në udhëtim të premten (sot, 17:00), në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll, futbollistëve, tifozëve dhe qytetit të Suharekës u është uruar fat.
“Të premten (sot v.j.) më datë 12.6.2020 udhëtojmë në Prishtinë për lojën e radhës kundër Flamurtarit”, thuhet shkurt në njoftimin e klubit.
E për këtë ndeshje që vlerësohet e rëndësishme për të dyja skuadrat, Flamurtarit për mbijetesë, derisa Ballkanit për titull të kampionit, trajneri i këtij të fundit, Ismet Munishi, ka zgjedhur heshtjen. Trajneri Munishi nuk ka dashur ta komentojë ndeshjen kundër Flamurtarit. Munishi ishte edhe më i shkurtër sesa njoftimi i klubit të tij në Facebook. Ka thënë se do të flasë pas ndeshjes.
“Flasim pas ndeshjes”, ka thënë Munishi.
Munishi ka zhvilluar edhe stërvitje në fushë me bar natyral, e jo në atë të tij me bar sintetik në Suharekë para ndeshjes me Flamurtarin. E edhe futbollistët e Ballkanit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me duelin kundër “kuqezinjve” të Prishtinës.
Si Ballkani ashtu edhe Flamurtari nuk e kanë nisur mirë vazhdimin e garave pas afro tre muajsh pushim shkaku i pandemisë së koronavirusit. Ballkani ka dy barazime, një në gjysmëfinale të Kupës kundër Feronikelit dhe një në fundjavën e shkuar ndaj Drenicës (0:0) në ligë, ndërsa Flamurtari pësoi disfatë në udhëtim nga Drita (1:0).
Pas barazimit Ballkani e humbi edhe vendin e parë në tabelë që e mbajti për një kohë të gjatë. Është në vendin e dytë me 45 pikë, një më pak se liderja Drita, kurse Flamutari është në vendin e tetë me 28 pikë të grumbulluara. Mirëpo, Flamurtari e ka mposhtur Ballkanin në ndeshjen e fundit para pezullimit të kampionatit. E mposhti në shtëpi me shifrat 2:1. Në fakt, në pesë përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave, Ballkani ka qenë më i suksesshëm. Ka tri fitore dhe një humbje, kurse një ndeshje tjetër është mbyllur pa fitues. Në fitoren e fundit të Flamurtarit përballë Ballkanit, shënues i një goli ishte mesfushori Bashkim Shala. Shala edhe sa ishte pjesë e Vushtrrisë në pjesën e parë të këtij edicioni i pati shënuar gol Ballkanit në fitoren minimale 1:0. Ai pret që edhe në ndeshjen e tij të tretë përballë Ballkanit të dalë fitues, pse jo edhe të shënojë sërish gol.
“Shpresoj sërish të shënoj gol, por më e rëndësishme për ne është fitorja. Do të jetë një lojë e vështirë si për ne ashtu edhe për Ballkanin. Të dyja ekipet kemi synime të kundërta dhe për secilën skuadër pikët janë të rëndësishme. Por, ne besojmë që me angazhim maksimal mund t’i fitojmë pikët e plota. Ky edhe do të jetë qëllimi ynë. Do ta shohim. Jemi të përgatitur maksimalisht për këtë përballje që është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë të premten (sot) do të luhet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të xhiros së 24-t. Kampioni në fuqi i Superligës, Feronikeli, do të udhëtojë në Klinë për t’u përballur me Dukagjinin, që është në pozitën e fundit në tabelë. Fitorja eventuale Niklin do ta stabilizonte në mesin e tabelës, meqë për titull të kampionit ka mbetur prapa. Por synim i tyre është fitorja e katërt, meqë në tri përballjet e kaluara Feronikeli ka po aq fitore. Dy ndeshje do të luhen të shtunën, derisa dy të tjera të dielën dhe të gjitha startojnë në orën 17:00.
Superliga – Java 24-t
E premte (17:00)
Dukagjini – Feronikeli
(Sh. Murtezi, L. Muhadri, S. Berisha, E. Zasella)
Flamurtari – Ballkani
(K. Vula, B. Këpuska, V. Kelmendi, S. Isufi)
E shtunë (17:00)
Vushtrria – Prishtina
(M. Bejtullahu, J. Musolli, F. Jashari, G. Shala)
Llapi – Drenica
(B. Kasumi, M. Berisha, S. Haziri, G. Nuza)
E diel (17:00)
Trepça ’89 – Drita
(V. Kastrati, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, V. Ibërdemaj)
Ferizaj – Gjilani
(T. Maloku, G. Hyseni, B. Rama, A. Shala)
1. Drita 23 14 4 5 38:17 46
2. Ballkani 23 13 6 4 35:15 45
3. Prishtina 23 13 5 5 39:21 44
4. Gjilani 23 13 3 7 39:21 42
5. Feronikeli 23 11 4 8 39:26 37
6. Llapi 23 11 4 8 36:35 37
7. Drenica 23 8 7 8 28:29 31
8. Flamurtari 23 8 4 11 29:42 28
9. Trepça ’89 23 7 6 10 32:35 27
10. Ferizaj 22 8 1 13 22:34 25
11. Vushtrria 23 4 4 15 22:51 16
12. Dukagjini 23 2 4 17 12:45 10