Ballkani i Suharekës vazhdon të prek nivele të reja, gjithnjë e më të larta. Kampioni i Kosovës në futboll të enjten mbrëma ka shënuar edhe një tjetër sukses historik. Ballkani bëhet skuadra e parë kosovare që fiton ndeshje në fazën grupore të kupave evropiane.
Në Sivas të Turqisë, Ballkani ka fituar 4:3 ndaj skuadrës vendase, Sivasspor.
Ndeshja i ka takuar grupit G të Ligës së Konferencës dhe ishte skajshmërisht dramatike.
Ballkani ka shënuar fitoren e madhe, ndonëse ndeshjen e nisi në mënyrën më të keqe të mundshme.
Pas vetëm 32 sekondave, Ballkani pësoi gol. Fredrik Ulvestad shënoi me goditje nga zona, pas një reagimi të zbehtë në mbrojtjen suharekase.
Por kjo nuk e dëshpëroi skuadrën e Ilir Dajës. Armend Thaqi, që ishte kapiten në këtë ndeshje, shënoi supergol në minutën e 20-të për rezultatin 1:1. Në minutën e 31-të ishte Arbër Potoku që shënoi nga afërsia për epërsinë 2:1 të Ballkanit. Për të asistoi Ermal Krasniqi.
Me rezultatin 2:1 përfundoi pjesa e parë.
Loja ishte e hapur edhe në të dytën, ndërsa Meriton Korenica konkretizoi aksionin model të Ballkanit, për rezultatin 3:1. Ai shënoi pas asistimit të Armend Thaqit në minutën e 66-të.
Më pas skuadra turke është hedhur në sulm. Ka ngushtuar rezultatin në minutën e 75-të, kur realizoi Erodgan Yesilyurt.
Turqit kanë insistuar për barazim dhe ndeshja u bë edhe e tensionuar. Në minutën e 91-të, Mustapha Yatabare shënoi për 3:3.
Por ky nuk ishte akti i fundit i dramës futbollistike. Në minutën e 94-t, Ermal Krasniqi shënoi për fitoren e madhe të Ballkanit. Fitoren historike edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.
Ndonëse me mungesa, Ballkani ishte i trimëruar për ndeshjen me Sivassporin. Barazimi 1:1 me Clujin rumun në ndeshjen e parë dhe paraqitja e mirë ndaj Slavia Pragës në humbjen 3:2, ka bërë që Ballkani të udhëtoi me vetëbesim drejt Turqisë. Dhe prej atje kthehet me fitore që e fut fuqishëm në garë për kalim në raundin nokaut.