Futbollistët e Ballkanit nuk festuan gjatë 90 minutave lojë kundër Gjilanit. Festën e kishin lënë për fundin e ndeshjes. Dhe ajo ishte e madhe.
Bashkë me lojtarët e Ballkanit festuan edhe një numër i madh i shikuesve të pranishëm në stadiumin e qytetit në Suharekë, të dielën.
Pas ngritjes së trofeut për herë të dytë rresht, shikuesit u futën në fushë dhe festuan bashkë me lojtarët.
Kupa që i ngjan asaj të Ligës së Kampionëve u ngrit nga kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi. Liga e Kampionëve, saktësisht raundi i parë kualifikues, do të jetë fillimi i rrugëtimit të Ballkanit në garat evropiane.
Ballkani e mbylli pa gola ndeshjen ndaj Gjilanit. Ishte ndeshja e fundit e edicionit 2022/2023 të Superligës së Kosovës në futboll.
Klubi nga Suhareka e siguroi titullin e kampionit javën e kaluar, pas fitores ndaj Ferizajt 2:0 dhe dështimit të Dritës, që pësoi disfatë me rezultatin 1:0 nga Malisheva.
Ballkani e mbylli me tri pikë më shumë se Drita edicionin 2022/2023. Zuri vendin e parë me 73 pikë, kurse Drita nga 36 ndeshje fitoi 70 pikë. Gjilani përfundoi i treti me 54 pikë.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, është krenar me lojtarët, ndërsa pret paraqitje dinjitoze edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
“Disponoj një skuadër goxha të mirë dhe pritjet janë gjithmonë nga ky grup. Nuk e kishim menduar që brenda një viti e gjysmë të fitojnë dy tituj, një Superkupë e po ashtu të kalojmë katër raunde dhe të futemi në grupet e Ligës së Konferencës”, ka thënë Daja.
Trajneri tiranas insiston se Ballkani do të mundohet të shkojë sa më lart në fazën kualifikuese të “Championsit”.
“Për mua si trajner është titulli i pestë, dy në Superligë dhe tre tituj në Shqipëri. Por trajneri nuk mendon asnjëherë se çfarë do të bëhet. Ajo që premtoj është punë maksimale si të ishte dita e parë. Hapi i parë është të riformojmë pozicionet e munguara gjatë këtij kampionati për të bërë një paraqitje sa më të mirë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Imediate është intervenimi në sulm. Besoj se në sulm do të fokusohemi më së shumti, sidomos në pozicionet e krahut”, ka thënë Daja.
Ai vlerësohet ndër më meritorët për suksesin e madh të Ballkanit. Tiranasi ka drejtuar skuadrën drejt dy titujve dhe rrugëtimit historik në Evropë.
Tjetër rrugëtim, që shpresohet të bëhet historik, Ballkani nis pas disa javësh. Fillimisht lojtarët kanë pak ditë pushim të merituar, pas festës që zgjati deri vonë të dielën.
Ballkani është rritur vazhdimisht në vitet e fundit. Si asnjë klub tjetër kosovar, arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, niveli i tretë i kupave evropiane për skuadra të futbollit.
Mbrojtja e titullit megjithatë nuk ishte e lehtë. Ballkani pati një seri rezultatesh negative, të cilat nuk i shfrytëzoi Drita që ishte po ashtu në garë për titull. Skuadra suharekase më pas u këndell. Fitorja vendimtare ishte ajo e arritur në Gjilan, 2:1, ndaj Dritës. Ajo ndeshje u zhvillua katër xhiro para fundit. Më pas Ballkani i fitoi dy ndeshje dhe nisi festën.
Të dielën Gjilani ishte vendës, por me marrëveshje ndeshja u zhvillua në Suharekë. Futbollistët e Gjilanit para fillimit të ndeshjes përshëndetën lojtarët e Ballkanit. I përcollën deri në fushë me duartrokitje.
“Jemi të kënaqur pasi në fund kemi fituar titullin. Kemi pasur shumë ndeshje dhe shumë ngarkesë. Por kemi treguar në fund karakterin dhe kualitetin. Është një vit i suksesshëm. Pak pushim dhe pastaj të kthehemi ta vazhdojmë punën. Kemi nisur mirë, patëm katër fitore dhe normal që më vonë u ndie lodhja. Çdo lojtar ka ngarkesë, por kur ishte më e rëndësishme treguam karakterin”, ka thënë kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç.
Një prej meritorëve për titullin e dytë rresht të Ballkanit ishte sulmuesi Albion Rrahmani. Rrahmani me 21 gola është shpallur golashënuesi më i mirë i Superligës.
Rrahmani është krenar që me fanellën e Ballkanit festoi titullin e kampionit.
“Është ndjenjë e veçantë dhe ndjenjë e mirë të jesh golashënuesi më i mirë dhe ta fitosh titullin. Është bërë një punë e jashtëzakonshme, kemi pasur shumë ndeshje, por me angazhimin dhe shpirtin luftarak ia dolëm. Të gjithë golat kanë qenë të veçantë për mua, pasi ka peshën e vet secili gol. Jam krenar që jam golashënuesi më i mirë”, ka thënë Rrahmani.
Edhe portieri Stivi Frashëri i është gëzuar titullit të dytë. Por më i veçantë thotë se ka qenë suksesi i arritur në edicionin e kaluar.
“Jam shumë i lumtur, pasi kemi pasur një vit të mirë por edhe me sfida. Kemi kryer shumë ndeshje dhe lodhja ka bërë punën e vet. Më bëhet qejfi që u mbajtëm me forcat tona deri në fund. Por për mua titulli i parë mbetet më i veçantë. Paraqitja ndaj Clujit ka qenë më e mira në Evropë”, ka thënë Frashëri.
Gëzim të madh ka pasur edhe Qëndrim Zyba. Zyba është ndër lojtarët e rrallë që është nga Suhareka.
“Jam shumë i lumtur dhe nuk di ta përshkruaj ndenjën që e festoj titullin. Është viti i parë pas Prishtinës dhe jam shumë i lumtur. Do të punoj shumë që të ngrihem edhe më lart”, thotë ai.
Drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi, ka thënë se triumfi për herë të dytë rresht në Kampionatin e Kosovës është e arritur e jashtëzakonshme.
“Ta fitojmë titullin e kam menduar, po jo dy herë rresht. Është një arritje e jashtëzakonshme. Kemi bërë një punë të madhe dhe jam i lumtur që arritëm ta fitojmë për herë të dytë titullin e kampionit. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. E fituam titullin. Vitin e kaluar kishim ecuri të jashtëzakonshme në Evropë, shpresojmë ta bëjmë të njëjtën gjë edhe këtë edicion”, ka thënë Nexhipi. Ai ka thënë se mund të ketë dy apo tre lojtarë të rinj që do t’i bashkohen Ballkanit.
Pas festës në fushë, lojtarët e Ballkanit festuan edhe në sheshin e qytetit të Suharekës me këngëtarë të njohur të estradës.
Ata shpejt do të kthehen në fushën e blertë me synim për ta vazhduar rrugëtimin unik.
Ballkani është kampion i Kosovës dhe luan në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Drita e Gjilani e kanë të sigurt paraqitjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Ka mbetur të përcaktohet edhe një skuadër që garon në Evropë.
Trepça ’89 e Drenica largohen nga Superliga, ndërsa Ferizaj luan në plejaut me Lirinë e Prizrenit për një vend në Superligë në edicionin e ardhshëm