Ballkani ka vazhduar me paraqitje impresive në Evropë. Skuadra suharekase ka shënuar fitoren e pestë rresht në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, para një numri të madh shikuesish, Ballkani fitoi 4:1 ndaj skuadrës së madhe bjelloruse, BATE Borisov.

Ishte ndeshja e parë e fazës së plejofit. Te fitorja e thellë, Ballkani erdhi me përmbysje të rezultatit. Bjellorusët kaluan në epërsi në minutën e dhjetë. Realizator ishte Denis Laptev. BATE shënoi kur Ballkani po dominonte në fushë. Dhe situata nuk ndryshoi.
Ballkani rreshtoi sulme të tjera dhe në minutën e 31-të barazoi rezultatin në 1:1. Bajram Jashanica shënoi me goditje me kokë pas harkimit të Lorenc Trashit. Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë. Loja ishte e njëjtë edhe në pjesën e dytë, me dominim të plotë të kampionit kosovar.

Bleart Tolaj shënoi për 2:1 në minutën e 58-të. I njëjti lojtar shënoi gol tjetër në minutën e 66-të për 3:1.
Ndërkohë fare në fund, në minutën e 89-të, Armend Thaqi shënoi gol të bukur nga një pozitë e vështirë. Thaqi realizoi për 4:1. Suharekasit kanë krijuar shumë raste dhe konkretizuan katër herë për fitoren e thellë. Ndeshja e kthimit, në të cilën Ballkani pritet ta konfirmojë kalimin në fazën grupore, zhvillohet më 31 gusht në Mezokovesd të Hungarisë.
