Ballkani e Gjilani shënojnë fitoret e para në udhëtim

Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, pranoi një top nga Mevlan Zeka, u lirua nga mbrojtësi Sodiq Atanda dhe me gjuajtje nga rreth 20 metra, e mposhti portierin e kampiones në fuqi Prishtinës, Eglant Haxhon për t’ia siguruar Ballkanit fitoren e parë të edicionit 2021/2022 në Superligën e Kosovës në futboll. Krasniqi e shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 51-të me ndihmën e traversës. Për 22-vjeçarin, ishte goli i tretë në dy ndeshje të këtij edicioni. Ndeshja e luajtur të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, që përfundoi me rezultatin 1:0 ishte edhe derbi i xhiros së dytë të elitës së futbollit kosovar. Me katër pikë të mbledhura, Ballkani zë vendin e dytë në renditje dhe ka pikë të barabarta me Malishevën, Dritën dhe Gjilanin. Prishtina është e teta me një pikë. Trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi, ka thënë pas ndeshjes se kundër Prishtinës nuk është i nevojshëm spektakli në fushë, por pikët. Për Ballkanin, kjo është fitorja e parë këtë sezon pas barazimit në ndeshjen e parë kundër Dukagjinit (2:2) në shtëpi.

“Mendoj që edhe ne, e po ashtu edhe Prishtina donim më pak gabime. Në këto ndeshje një gabim mund të sjellë tek avantazhi ose te disavantazhi. Ishim më të durueshëm dhe i fituan tri pikë. Sa i përket ndeshjes, nuk pamë shumë. Nuk duhet spektakël kundër Prishtinës, por duhet të fitohet ndeshja. Këta djem treguan që edhe me një lojtarë më pak mund të ia dalim, treguan karakter. Mbuluam hapësirat dhe ia dolëm”, tha Isufi.

Në pjesën e parë, të dy ekipet patën nga një mundësi për të realizuar. Mendurim Hoti i Prishtinës gjuajti jashtë në minutën e 14-të. Ballkani rastin më të mirë e pati në minutën e 30-të me Ermal Krasniqin, goditja e të cilit shkoi jashtë. Nga minuta e 74-t, Ballkani mbeti me një lojtar më pak, pasi u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë Kushtrim Gashi. Numrin e një lojtari më shumë në fushë nuk e shfrytëzoi Prishtina, e cila pësoi humbjen e parë këtë edicion. Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani ka marrë përgjegjësinë për humbjen nga Ballkani. Megjithatë, ai ka thënë se Prishtina ka cilësi për ta mposhtur çdo kundërshtar këtë edicion.

“Kishim lojë, kishim kontrollin e lojës dhe posedim të mirë të topit, por na mungoi agresiviteti në fazën e finalizimit. Lojtarët dhanë maksimumin, ndoshta edhe ky ishte maksimumi për këtë takim. Takimi u vendos nga një gol fenomenal i Ermal Krasniqit, dhe e përgëzoj Ballkanin për fitoren”, është shprehur Ramadani. “Si duket, jemi kthyer në avazin e vjetër të sezonit të kaluar, por duhet sa më shpejt të rikthehemi ashtu siç e kemi mbaruar sezonin e kaluar. Normalisht, përgjegjësinë e ka trajneri. Kemi cilësi për ta mposhtur çdo ekip”.

Në xhiron e tretë, që zhvillohet pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Prishtina është mysafire e skuadrës së Drenicës. Ndërkohë, fitore në udhëtim shënoi edhe Gjilani. Edhe për Gjilanin e drejtuar nga trajneri, Ismet Munishi, ishte fitorja e parë këtë sezon. Në udhëtim, të dielën Gjilani e ka mposhtur skuadrën e Feronikelit me rezultatin minimal 1:0. Trajneri Ismet Munishi i është gëzuar fitores së parë të arritur me skuadrën e Gjilanit. Por, ai ka thënë se më i rrezikshëm ekipi i tij do të bëhet kur do të jetë më i kompletuar.

“Feronikeli luftoi mirë, por ne i gëzohemi fitores së parë të arritur. Janë të rëndësishme fitoret në një kampionat që do të jetë i luftuar. I përgëzoj futbollistët për angazhimin, por komplimente edhe për Feronikelin që luftoi shumë edhe kur ishte me një lojtar më pak në fushë. Po vijnë deri te rastet, kanë punuar në fazën përgatitore, por ekipi nuk është ende i gatshëm 100 për qind. Por, kur të kompletohemi do të jemi më të rrezikshëm”, ka thënë Munishi. Ai beson se Gjilani do të bëjë gjëra të mëdha këtë edicion. “Unë besoj se kemi forcën, cilësinë dhe organizimin për gjëra të mëdha”.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e dominuar nga gjilanasit të cilët shpërdoruan disa mundësi shënimi. Madje, mysafirëve iu anulua goli i shënuar nga Blerim Krasniqi pas rishikimit me VAR. Në pjesën e dytë, udhëtuesit shtuan edhe më shumë presionin para portës kundërshtare. Në minutën e 66-të Bujar Pllana ndali në mënyrë të palejuar në zonë sulmuesin Elton Cale. Gjyqtari akordoi penallti në të mirë të mysafirëve përderisa Pllana u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Nga pika e bardhë, i pagabueshëm u tregua Gerard Progni, që realizoi për 1:0 në minutën e 69-të. Në minutat shtesë të ndeshjes, Gjilani mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi Muhamed Useini u ndëshkua me kartonin e dytë verdhë. Por deri në fund, skuadra nga Drenasi nuk arriti të rrezikonte portën e Enea Koliqit. Trajner i Feronikelit, Faruk Elshani tha se skuadra e tij dha maksimumin në ndeshjen kundër Gjilanit, dhe pati një paraqitje shumë të mirë.

“E uroj Gjilanin për fitoren. Ne jemi munduar të krijojmë raste, por kemi pasur telashe me lëndimet dhe gjithashtu ndikoi edhe kartoni i kuq. Shpresoj që në xhiron e ardhshme të marrim pikë. Besoj se do të arrijmë të mbijetojmë në Superligë dhe pres nga kryesia e klubit që të ketë edhe dy apo tre futbollistë si përforcime. Do t’i marrim ndeshjet një nga një”, tha Elshani. Me këtë fitore, Gjilani pas dy ndeshjeve ka katër pikë ndërsa Feronikeli një pikë.

Xhiroja e dytë, do të mbyllet të hënën, me ndeshjen ndërmjet Dukagjinit dhe Drenicës, që nis në orën 17:00. Si Dukagjini, ashtu edhe Drenica e nisën sezonin e ri me barazim.

 **************

Superliga – Java e dytë

E shtunë

Drita – Llapi 0:0

Ulpiana – Malisheva

(Shënues: Santos 90+5’ – Hyseni 30’, 59’, Stullqaku 56’)

E diel

Prishtina – Ballkani 0:1

(Shënues: Krasniqi 51’)

Feronikeli – Gjilani 0:1

(Shënues: Progni 66’)

E hënë 17:00

Dukagjini – Drenica

1. Malisheva 2 1 1 0 4:2 4

2. Ballkani 2 1 1 0 3:2 4

3. Drita 2 1 1 0 2:1 4

4. Gjilani 2 1 1 0 2:1 4

5. Llapi 2 0 2 0 1:1 2

6. Dukagjini 1 0 1 0 2:2 1

7. Drenica 1 0 1 0 1:1 1

8. Prishtina 2 0 1 1 1:2 1

9. Ulpiana 2 0 1 1 2:4 1

10. Feronikeli 2 0 0 2 1:3 0