Shteti më s’ka mjete për të ndarë për përfituesit nga Pakoja Emergjente pa kaluar në Kuvend rishikimi i Buxhetit 2020, ka paralajmëruar ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se qeveria është në limite për lëvizje buxhetore dhe më e ka të pamundur të bëjë pagesat për ata që ishte paraparë të përfitonin nga Pakoja Emergjente, e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.
Ajo ka thënë se komisionet kanë shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe se së shpejti atyre që nuk janë aprovuar do t’u bëhet e ditur se çka kanë gabuar gjatë aplikimeve.
“Është dorëzuar raporti përfundimtar. Janë shqyrtuar të gjitha aplikacionet. Përcillen për disa prej masave. Vazhdimisht po disbursojmë mjete. Numri i aplikacioneve është i madh, numri i përfituesve ishte 189 mijë. Komisioni ka përfunduar punën e tij. Disa janë implementuar për një muaj, disa për dy, nesër lëshohen të gjitha vendimet për ato të refuzuara, që s’kanë plotësuar kushtet. Po flas për masat për sektorin privat dhe ajo e pikës së shtatë për punëtorët në sektorin publik që ishin shtesë e rrezikshmërisë, për 100 euro”, ka thënë ajo.
Sipas saj, nga komplet kosto e parashikuar prej 180-190 milionë eurosh, deri tash shteti ka ndarë 80 milionë euro. Për sektorin privat ajo ka thënë se janë në dispozicion vetëm edhe 1.7 milionë euro.
“Ne përfundojmë sepse jemi më pa asnjë euro buxhet për implementimin e aplikacioneve, kjo për shkak të rishikimit. Janë bë lëvizjet buxhetore, por kemi arritur limitin ku s’mund të bëjmë asnjë lëvizje. Për shembull masa 15 për familjet pa të ardhura kemi paguar 20 mijë persona në kuadër të kësaj mase. Është e nevojshme urgjentisht të kalohet rishikimi i buxhetit që të vazhdojmë. Për të gjitha masat që kemi ekzekutuar pagesën, s’është problemi për herën e dytë, por na duhen vetëm mjetet në dispozicion që do t’i kemi përmes rishikimit të buxhetit”, ka shtuar ajo.
Bajrami ka thënë se pos nevojës urgjente për kalim të rishikimit të buxhetit në Kuvend, duhet të ratifikohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, për çka ka thënë se do të nisin menjëherë implementimin.
Bajrami ka shtuar se problemi më i madh është mungesa e mjeteve, atyre që u është bërë pagesa njëherë nuk ka problem, por vetëm për shkak të mungesës së mjeteve.
Tutje ajo ka bërë të ditur se në xhirollogarinë e hapur nga Qeveria janë mbledhur 700 mijë euro, dhe ato ende nuk janë prekur.
“Është një xhirollogari të Thesarit, ne nuk i kemi përdorur mjetet, janë rreth 700 mijë euro, ka pasur dy donacione me dedikime të veçanta, njëra për MSH-në dhe tjetra për kuvendin komunal të Skenderajt. Nuk i kemi përdorur”, ka thënë ajo.