Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka marrë pjesë sot në një forum virtual me biznese të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Aty është diskutuar mbështetja për sektorin privat dhe bizneset të cilat janë goditur më së shumti nga pandemia Covid-19.
“Tek Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike jemi fokusuar shumë tek qasja në financa dhe instrumente të tilla prej të cilave bizneset mund të përfitojnë bazuar në parimet dhe kriteret e njëjta por edhe ky përfitim mund të jetë shumë afatgjatë. Jemi duke punuar me Fondin për Garanci Kreditore që të hapen disa dritare për disa sektorë. Ne kemi marrë përgjegjësinë që gjatë këtij viti dhe vitit tjetër ta rrisim kapitalin e Fondit për Garanci Kreditore deri në 100 milionë euro dhe mbulueshmëria e rrezikut për këto kredi të jetë deri në 80%. Gjithashtu si Qeveri gjatë kohës së pandemisë ne do të bartim komplet tarifën të cilën e ngarkon Fondi për Garanci Kreditore”, ka thënë Bajrami, thuhet në njoftimin e OEAK.
Bajrami ka thënë se sektori i teknologjisë së informacionit do të ketë vëmendjen e Qeverisë për shkak të mundësive të shumta që ofron ky sektor për punësimin e rinisë së Kosovës, duke theksuar se Ministria që ajo drejton dhe Qeveria e Kosovës në përgjithësi janë të interesuar në incentivat që mund të ofrojë shteti për fuqizimin e sektorit të teknologjisë dhe digjitalizimit përmes investimeve dhe trajnimeve.
“Ministrja sqaroi më tej se është krijuar një grup punues për përpilimin e udhëzimit administrativ për pushimet tatimore për investimet e reja, ndërsa në të njëjtën kohë në ditët në vijim do të përpilohet edhe kalendari i akcizës, i cili do të rriste parashikueshmërinë në mesin e bizneseve që i nënshtrohen detyrimeve të akcizës, ndërsa me qëllim të përkrahjes së sektorit të gastronomisë po rishikohet propozimi i komuniteti të biznesit për ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18% në 8%”, thuhet një njoftim.
“Përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Odës Amerikane ishin pjesë aktive e këtij forumi dhe dhanë rekomandimet e tyre mbi përkrahjen e kësaj ministrie dhe shtetit në përgjithësi dhe mënyrave më efikase se si mund të ndihmohet sektori privat por edhe ekonomia e Kosovës për dalje nga kriza e shkaktuar nga pandemia. Disa nga çështjet e ngritura nga përfaqësuesit e sektorit privat ishin tkurrja e buxhetit dhe investimeve kapitale, zbritja e numrit të punëtorëve nëpër ndërmarrje dhe bashkëpunimi mes organeve qeverisë dhe sektorit privat në Kosovë”.