Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se Qeveria Kurti nuk është dashur të rrëzohej në kohën e pandemisë me koronavirus.
Në Deskun e KOHËS, ish-ministri Bajrami ka akuzuar skenën politike se ka gabuar me këtë rrëzim.
“Në kohën e pandemisë në krejt botën agjendat politike janë spostuar dhe të gjitha qeveritë kanë pasur vetëm një preokupim, mbijetesën e popullit sepse pandemia ka befasuar të gjithë. Rusia deri vonë e nënçmonte, por po e shohim sot. Pat një lloj moratoriumi politik. Shumë qeveri u formuan për t’i shërbyer popullit. Për Kosovën ishte moment jashtëzakonisht i vështirë e gjykoj që është dashur të lihen deri në fund këto veprime pas pandemisë. Është dashur qeveria të ofrojë më shumë hapësirë për opozitën në grupet e përbashkëta për menaxhim të pandemisë, e të lihet gjithçka pas pandemisë. Gjykoj se e gjithë kjo ka mundur të presë përfundimin e pandemisë e normalisht më pas vijnë llogaridhëniet. Është dashur që qeveria të ketë të paktën 100 ditë. Është një adet që çdo qeverie i lihen 100 ditë, madje tolerohen edhe gabimet. Ka pas plot gabime në menaxhim, në lidership, por jo që në kohën e pandemisë vendi të stresohet edhe me probleme politike. Ka mundur të diskutohet në ambient shumë të qetë ku opozita do të luante rolin e vet”, ka thënë ai.
Bajrami ka thënë se situata në të cilën ndodhet skena politike vendore ka disa arsyetime.
“E para është ndoshta mungesa e përvojës së gjatë shtetërore edhe pse s’janë pak 12 vjet. Çështja e dytë është lufta e ashpër për pushtet, dhe nganjëherë edhe abuzimi që bëhet edhe me Kushtetutën, sundimin e ligjit”, ka shtuar ai.
Sipas Bajramit, Kosova ua ka borxh edhe ndërkombëtarëve arsyetimin e besimin e dhënë që të mos i zhgënjejë me sjellje të tilla politike.
Bajrami, që dikur ka qenë edhe ministër i Arsimit, ka thënë se pandemia dhe detyrimi për mësim online do të lërë pasoja afatgjate për Kosovën.
Ka kritikuar skenën aktuale politike se arsimin s’po e ka prioritet, ndërsa ka lavdëruar pushtetin aktual në këtë ministri për menaxhim të situatës.
Bajrami ka kujtuar po ashtu se dështimi në testin Pisa është dashur të jetë “shok-terapi” për vetëdijesim të shtetit, teksa ka shtuar se është dashur të rriteshin fondet për këtë sferë.
Bajrami ka kritikuar edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj për shkarkim të Agjencisë për Akreditim dhe letrat e tij që çuan në përjashtim të Kosovës nga agjencitë ndërkombëtare, ENQA e EQAR.
“Haradinaj s’ka pas këshilldhënie të mirë. Edhe vetë e ka thënë se ndoshta ishte i nxituar, por pasojat janë të mëdha. Rikthimi në këto agjenci kërkon shumë kohë. Ato janë të pamëshirshme. S’mund të paragjykoj motivet, por ishte e shëmtuar që të shkarkoheshin agjencia në ditët e parë, madje pati edhe ekspertë amerikanë prestigjiozë, ku mua më kërkuan si ish-ministër pse janë shkarkuar. U kam kërkuar shumë falje, u kam thënë se Kosova është shoqëri në transicion e duhet të na kuptojnë. Më ka ardhur mirë që njëri është kthyer e tjetri megjithatë ka refuzuar”, ka shtuar tutje ai.