Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se lidhur me rastin janë suspenduar dy zyrtarë dhe një është arrestuar. Ajo ka thënë se përfitues është një operator ekonomik, për të cilin ka thënë se nuk mund ta zbulojë për shkak të mosdëmtimit të hetimeve.
“Paret janë tërhequr prej Ministrisë së Infrastrukturës dhe kanë kaluar te një operator ekonomik me 9 tetor”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se zyrtari i arrestuar ka punuar mbi 11 vjet në Thesar.
Bajrami ka thënë se buxheti është i sigurt dhe janë duke u hetuar të gjitha transaksionet.
“Sot fatkeqësisht lajmi nuk është aq i mirë. Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimta që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit. Rreth 2.1 milionë euro kanë shkuar në llogari të një operatori ekonomik. E kemi denoncuar rastin. Kemi kërkuar auditim të brendshëm. Janë suspenduar dy persona, një është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ne tani kemi gjurmuar të gjitha transaksionet. Institucionet e rendit po bëjnë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen Thesarit të Kosovës. Është një rast i izoluar”, tha ajo