Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hikmete Bajrami, ka kritikuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për deklaratën e tij mbi mundësinë e heqjes vullnetare të shtesave prej 100 eurove të fundvitit, raporton Ekonomia Online.
Me anë të një postimi në Facebook, Bajrami ka pyetur Muratin nëse qytetarët kanë mundësinë të mos paguajnë faturat e rrymës për shkak të reduktimeve, dhe nëse ata mund të shmangin pagesën e TVSH-së së lartë për shkak të rritjes së çmimeve.
Bajrami i ka kujtuar Muratit se buxheti i shtetit nuk është personal, dhe se ai thjesht ka mbledhur tatime për të përmirësuar jetesën e qytetarëve, por sipas saj, ka dështuar në këtë drejtim.
“Qytetarëve, të cilët në këto ditë të ftohta s’po kanë rrymë nga 8 orë, Hekurani sot ju paska dhënë një mundësi: ai paska thënë: ”nëse nuk i doni 100 euro, mos i merrni”, dhe po ju tregon mënyrën se si mund t’i refuzojnë ato.
Dy pyetje për Hekuran Muratin:
1. A e kanë mundësinë qytetarët mos me i pagu faturat e rrymës, pasi që në këto ditë të ftohta po përballen me nga 8 orë reduktime? Dhe
2. A e kanë pasur qytetarët mundësinë mos me paguar 50% më shumë TVSH si rezultat i ngritjes enorme të çmimeve”, ka pyetur ajo.