Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Hykmete Bajrami, u ka bërë thirrje të gjithë fëmijëve shqiptarë kudo që gjenden që të shfrytëzojnë mësimin online.
Ajo në një postimi në Facebook, ka ftuar veçanërisht shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc që t’i shfrytëzojnë materialet e Ministrisë.
“Në kohën kur po bëhet thirrje të shtohet edhe më shumë kujdesi, të mos dilet nga shtëpia, Ministria e Arsimit po punon në zgjerimin e mësimit online. Për këtë arsye, shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve kudo që janë të përdorin platformat e MASHTI-t për mësimin online. I ftoj posaçërisht edhe shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc t’i shfrytëzojnë këto materiale, të cilat mund t’ju hyjnë në punë edhe shqiptarëve që jetojnë në diasporë”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, nga 6 prilli do të ofrohet mësimi online për shumicën e lëndëve. Derisa, sipas saj, kanë filluar edhe me prodhimin e videove-mësimeve në gjuhën turke dhe boshnjake.