Bahtiri: Mitrovica këtë javë është në zonën e verdhë dhe nuk ka orë policore

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë që Mitrovica këtë javë, është në zonën e verdhë dhe nuk ka orë policore.

Bahtiri përmes një postimi në Facebook, ka thënë që pas një takimi me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë folur për masat e reja të cilat janë marrë nga Qeveria e Kosovës në luftimin e kësaj pandemie.

I pari i Mitrovicës, u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal duke i vendosur maskat dhe zbatuar në mënyrë strikte udhëzimet e IKShP-së.

Postimi i plotë:

“Së bashku me Kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë, sot kam pritur në takim Ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, Armend Zemaj, ku diskutuam lidhur me situatën aktuale me pandeminë COVID-19 në qytetin e Mitrovicës, dhe për masat e reja të cilat janë marrë nga Qeveria e Kosovës në luftimin e kësaj pandemie.

“Ministrin e njoftova për aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga autoritetet komunale lidhur me situatën rreth COVID-19 në Mitrovicë, ku potencova faktin se e Komuna e Mitrovicës mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftën kundër pandemisë. Ndërsa, sa i përket masave të vendosura nga Qeveria lidhur me vendosjen e Komunës së Mitrovicës në zonë të kuqe, unë shpreha kundërshtimin tim edhe në këtë takim, duke e arsyetuar me shifra të sakta të personave të prekur në qytetin tonë të marra çdo ditë nga IKShP-ja, dhe pas këtyre informatave të detajuara dhe të argumentuara, ministri Zemaj është dakorduar që të përgatitet vendimi për qytetin e Mitrovicës që këtë javë të vazhdoj të jetë në zonën e verdhë, i cili presim të publikohet nesër”.

“Në mënyrë që Mitrovica të vazhdoj të mbetet në zonën e verdhë apo të bëjë progres dhe të kaloj në zonën e gjelbërt, unë i lus qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal duke i vendosur maskat dhe zbatuar në mënyrë strikte udhëzimet e IKShP-së”.

“Pas vizitës së realizuar në Komunën e Mitrovicës së bashku me kryesuesin e Kuvendit Komunal, Safet Kamberi kemi shoqëruar ministrin Zemaj për vizitë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ku janë pritur nga drejtori i këtij Spitali, Enis Istrefi, me të cilin kemi biseduar për kapacitetet e këtij spitali për trajtimin e pacientëve me COVID-19, si dhe nevojat që ka personeli mjekësor në luftimin e kësaj pandemie”.