Fazli Veseli varroset sot në Mitrovicë. Djali i tij, Kadri Veseli, i cili po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, me shumë gjasë nuk do të jetë prezent në varrim.
Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, ka thënë për Gazetën Express se paneli i gjykatës do të vendosë për këtë.
“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, ka thënë Griep.
Familjarët e Veselit kanë thënë se ai u ka dhënë leje që t’i kryejnë edhe pa të procedurat mortore.
Fazli Veseli prej muajsh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës në maj të këtij viti. Gjykata Speciale e liroi përkohësisht për ta bërë këtë vizitë.
Me të mbërritur në Kosovë, Veseli kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.
Pas qëndrimit në Kosovë, ai ishte kthyer sërish në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahet nën akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.