Familja e deputetes nga Ferizaj, Adelina Grainca, ka reaguar pas disa mbishkrimeve, të cilat janë shkruar në muret e oborrit të shtëpisë së saj, transmeton Gazeta Stop.
Disa persona të panjohur kanë shkruar një grafit fyes në disa vende: “Bijat i shesim, votat i qesim”, duke iu referuar kalimit të saj në Grupin parlamentar të VV-së nga PDK-ja dhe pjesëmarrjen e saj në votimin për presidente.
Lulzim Grainca, biznesmen dhe xhaxhai i Adelinës, ka thënë për KOHEN se së shpejti do të tregojë se kush i bëri këto mbishkrime, “sapo të nxjerr video-incizimet e kamerave të sigurisë”.
Ai dyshon se këto mbishkrime vijnë nga subjekti i PDK-së, të cilit i përkiste më herët deputetja Grainca.
“Dikujt po i pengon shumë zgjedhja e Adelinës si deputete, sepse ua ka prishur matematikat e tyre në Ferizaj. Ne dyshojmë se këto mbishkrime kanë ardhur me direktiva të PDK-së”, ka thënë mes tjerash Lulzim Grainca.
Ai ka shtuar se subjekti i PDK-së në Ferizaj është krenuar deri më tani me familjen Grainca për kontributin e dhënë, ndërkohë pas kalimit të Adelinës në Lëvizjen Vetëvendosje, kjo krenari është kthyer në urrejtje.