Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit, ka mohuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Hagë ka nisur dita e dytë e gjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Duke dhënë fjalën mbrojtëse, avokati Kehoe ka mohuar gjithçka që një ditë më parë deklaroi Prokuroria Speciale.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi, nuk kishte asnjë motiv për të marrë pjesë në krime. Ka thënë se Thaçi e ka pasur mbështetjen e SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare e s’ka pasur pse të merrte pjesë në krime sepse do ta humbte atë mbështetje. Te kjo pikë ai ka publikuar fotografi të Thaçit me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright. Ka paraqitur video të BBC-së ku shihej dëbimi i shqiptarëve nga Kosova.
Kehoe ka thënë se UÇK-ja s’ka qenë ushtri e rregullt, madje s’ka pasur kontroll nëpër shtabe, sidomos gjatë vitit 1998.
S’ka mohuar se në Kosovë mund të ketë pasur krime, por ka thënë se ato janë bërë në “shenjë hakmarrjeje pasi Serbia ka bërë shumë krime”. Ka përmendur dëbimin e shqiptarëve, masakrat e kryera në Kosovë.
Ai deklaroi se Thaçi s’e ka mohuar asnjëherë që janë kryer krime të luftës, por këto sipas tij, s’janë bërë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sipas Kehoes, krimet nuk kanë qenë të motivuara, por janë kryer nga individë shqiptarë.
“Janë kryer krime, por jo të motivuara. Thaçi se mohon se disa krime janë kryer nga disa individë shqiptarë. E ka informuar edhe në Këshillin e Sigurimit, por e kundërshton pretendimin se janë kryer krime nga udhëheqja e UÇK-së”, tha ai.