Avokati i të dyshuarit në rastin e 2 milionëshit të Thesarit: Pretendimet e prokurorisë janë të pasakta

Avokati Veton Rrecaj, i cili mbron Labinot Grudën, të dyshuarin më rastin e 2 milionëshit të Thesarit, tha se i mbrojturi i tij është i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, por se ndaj tij Prokuroria nuk ka arritur të paraqesë asnjë fakt për të mbështetur kërkesën e masës së paraburgimit.

Rrecaj tha se pretendimet e prokurorisë ndaj klientit të tij janë pasakta.

Sipas tij, deklaratat e ministres Hykmete Bajrami se paratë janë të sigurta bien në kundërshtim të plotë me kërkesën e Prokurorisë, e cila pretendon se paratë janë tërhequr.

”  Është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit tim, kërkesën që e ka paraqitur Prokuroria. I mbrojtur im nuk është i akuzuar, ai është vetëm i dyshuar. Ka tendenca të keqpërdorimit në popull dhe media. Ai është vetëm i dyshuar për veprën “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar””.

“Prokuroria e ka paraqitur tendencën për caktimin e paraburgimit,  por nuk ofroj asnjë argument për ta mbështetur një pretendim të tillë. Mirëpo, kërkesa ishte e përgjithësuar dhe e supozuar dhe në një asnjë rast nuk pat mundësi ta argumentojë të njejtën”.

“I mbrojturi im dyshohet për një transaksion mbi 2 milionë euro, nga vendi i tij i punës e që nuk është e saktë, nuk është e bazuar, dhe ju si media e keni parë dje, konkretisht ministren Hykmete Bajrami, e cila deklaron se mjetet të cilat pretendon prokuroria se janë keqpërdorur janë të sigurta”.

“Atëhere lind pyetja: Si mund të jetë një mjet apo një send i sigurt nëse është keqpërdorur apo vjedhur?  Deklarata e së njëjtës është në kundërshtim të plotë me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe kërkesën e prokurorisë. Jemi duke e pritur një vendim nga Gjykata. Shpresoj që të merret një vendim i drejtë, mos të caktojë masën e paraburgimit, si masa më e rëndë”.

“Ne si mbrojtje kemi propozuar që ta pyesin edhe zonjën ministre se ku janë këto mjete kur ajo deklaron se ato janë të sigurta. Nëse e din? Nëse ka thënë se janë të sigurta apo të bllokuara llogaritë bankare, ajo duhet të sqarojë pretendimet e prokurorisë se ato mjete janë tërhequr dhe nuk janë të sigurta. Vendimi pritet pas orës 13. Ne shpresojmë për një vendim të drejtë nga gjykata dhe kemi besim të plotë në pafajësinë e të mbrojtur tonë. Në rast të caktimit të masës vendimi do të ankimohet në shkalla më të larta të gjykatave”.