Mahmut Halimi, avokat i biznesmenit të arrestuar për dyshime për keqpërdorime në rezerva shtetërore, Ridvan Muharremi, ka thënë se klienti i tij ishte i angazhuar në blerjen e rezervave shtetërore direkt nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Në deklaratën për gazetarët, pas përfundimit të seancës, avokati Halimi, ka thënë se klienti i tij ishte i përfshirë në blerjen e rezervave me angazhim direkt nga ministrja Hajdari, pavarësisht se ministrja një ditë më parë u shpreh se nuk ka njohuri dhe nuk e ka parë askund nëpër dokumente emrin e Muharremit.
“E ka angazhuar Ministria, drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E kanë lutur, e kanë njohur si person afarist që ka traditë jashtëzakonisht të gjatë dhe rrjet të gjerë të miqve të vet afaristë”, ka thënë ai duke shtuar se raportet e Muharremit me zyrtarët qeveritarë janë “mysafirë që shkojnë në restorantin e tij modest”.
Nga prokuroria kanë thënë se janë avulluar 600 mijë prej rezervave ndërsa avokati i biznesmenit, Ridvan Muharremi thotë se kjo nuk është e vërtetë.
Sipas Halimit, pas ardhjes së mallit në Durrës, “ka humbur një sasi, brenda suazës së lejuar të humbjes në përqindje”, dhe sipas tij është e pakuptushme se si Prokuroria tha se janë avulluar 600 mijë të rezervave.
“Ndodh gjatë udhëtimit, gruri teret dhe humb peshë dhe është normale, për derivate të naftës e benzinës është e lejuar po ashtu sepse avullohet gjatë transportit. Ajo sasi përputhet në tërësi me dy përqindëshin e lejuar. Janë dy shlepera apo dy maune që s’kushtojnë 12-13 mijë euro. S’e di ku e gjeti Prokuroria 600 mijë euro. Klienti im, as s’ka kryer krim e as s’ka ndihmuar në krim. ‘Krime të tilla’ dhe sjellje të vullnetshme për të kontribuar për vendin tim, klienti im do të kryejë pandalshëm”, ka shtuar më tej avokati i Muharremit.
Sipas tij, “është meritë e Muharremit që ka ushtruar ndikimin e vet, përmes mikut të tij, që në Qeverinë e Turqisë t’i bindë që për hirë të Kosovës të hiqet embargo për një kohë të shkurtër që të krijohet mundësia për zbrazjen e grurit nga anijet e Ukrainës në anije e destinuar për ardhje në portin e Durrësit”.
Ai ka thënë se në këtë port është bërë matja e sasisë, kualitetit dhe parametrave të nevojshëm. Sipas tij, shitësi ka dhënë sasi shtesë për Kosovën. Avokati ka thënë po ashtu se biznesmeni i arrestuar ka njoftuar Qeverinë e Kosovës se malli është nisur nga Turqia dhe “këtu e ka kryer misionin, në shpenzime të veta”.
Sipas avokatit, Muharremi është kyçur në baza vullnetare dhe me shpenzime të veta për furnizim të rezervave shtetërore.

Ministrja Hajdari gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se nuk ka informata që Muharremi të ketë qenë i kontraktuar për ndonjë kontratë rreth rezervave.