Avokati i Hashim Thaçit në Hagë, kroati që e mbrojti Ante Gotovinën?

Pas dorëzimit të aktakuzës kundër tij, Hashim Thaçi do t’i nisë së shpejti udhëtimet për në Hagë. Atje do të intervistohet të hënën, e Express mëson se presidentin, që intervistohet si ish-drejtor politik i UÇK-së, do ta mbrojë avokati kroat, Luka Misetiq.

Avokati Misetiq, që ka përvojë në mbrojtjen e pjesëtarëve të luftërave të Jugosllavisë, pritet të jetë avokat i presidentit Hashim Thaçi gjatë proceseve në Hagë.

Thaçi ka njoftuar për herë të parë se do të intervistohet në Hagë, të hënën më 13 korrik. Burime të Gazetës Express tregojnë se Thaçin në Hagë do ta mbrojë avokati kroat, Luka Misetiq.

Ai është në listën e 40 juristëve të akredituar, të cilët mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash ose këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara.

Kroati tashmë ka nisur “mbrojtjen” publike të presidentit Thaçi. Pas njoftimin se Prokuroria e Hagës ka dorëzuar aktakuzë kundër Thaçit, Misetiq shkruante se Thaçi ka të drejtë dhe e lidhte njoftimin për dorëzim të aktakuzës si interferim në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ku do të shkonte Thaçi për rinisje të dialogut me Serbinë.

“Thaçi ka të drejtë. Thembra e Akilit në drejtësinë ndërkombëtare për afro 30 vjet kanë qenë akuzat për interferim politik. Kështu që, cili është hapi i parë i madh i Zyrës së Prokurorit të Specializuar? Zbulimi i një informate të rëndësishme vetëm për ta ndaluar një proces paqësor politik. Fillim i keq për Gjykatën Speciale” , ka shkruar avokati në Twitter.

Më parë në Hagë, Misetiq e ka mbrojtur Ante Gotovinën, komandant i forcave kroate, i cili kishte udhëhequr në operacionin “Stuhia” kundër forcave serbe. Gotovina ishte dënuar me 24 vjet burgim, por u lirua një vit më vonë, në 2012-n, duke u shpallur i pafajshëm.

Avokati Misetiq është pjesë e firmës ligjore amerikane “Squire Patton Boggs”, me të cilën shteti i Kosovës ka pasur disa kontrata gjatë qeverisjes Thaçi, e më pas edhe kontrata lobuese, për të cilat ka raportuar Gazeta Express. Një nga kontratat lobuese me kompaninë amerikane mbante vlerën 1,331,407.8 dollarë.

E njëjta kompani ka pasur kontrata për mbrojtjen e Kosovës në disa procese gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ndaj presidentit Hashim Thaçi, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë, për të cilën ka njoftuar publikisht dy javë më parë.

Aktakuza nuk është konfirmuar akoma, ndërsa, sipas njoftimit të ZPK-së, Thaçi, që ishte drejtor politik i UÇK-së, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Presidenti Thaçi, më parë nuk e ka pranuar se është intervistuar ndonjëherë nga prokurorët e Hagës.