Avokatit, Besnik Berisha iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria Themelore në Ferizaj nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengim i të provuarit apo procedurës penale” dhe “Ushtrim ndikimi”.
Lajmi është bërë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga avokati mbrojtës i Berishës, Naim Rudari.
“Po është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprave penale pengim i të provuarit”, tha Rudari.
Rudari theksoi se gjatë intervistimit të Berishës nga organet e drejtësisë nuk iu është bërë asnjë pyetje që mund ta sfidojnë të njëjtin duke e potencuar se nuk është e qartë arsyeja e ndalimit të klientit të tij.
“Ai është intervistuar dhe gjatë intervistimit nuk iu është parashtruar asnjë pyetje e cila ka mundur ta sfidoj Berishën. Nuk dihet saktë arsyeja e ndalimit të avokatit Berisha”, ka thënë Rudari.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar të enjten, se është arrestuar avokati Besnik Berisha dhe të dyshuarit N.Xh., I.S., dhe R.C., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, “Pengim i të provuarit apo procedurës penale” dhe “Ushtrim ndikimi”.
Përmes një komunikate, Prokuroria njofton se mëngjesin e së enjtes, është realizuar një aksion, ku janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë personave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë dhe njësive tjera mbështetëse, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot, ka realizuar një aksion ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të gjashtë (6) personave të pandehur dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë arrestuar katër (4) të dyshuar me inicialet N.Xh., B.B., I.S., dhe R.C., për shkak të dyshimit të veprave penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare “ nga neni 386 paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të KPRK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi/