Avokati Berisha: U tmerrova nga veprimi i Rasim Malokut, ky është krimi i tij

Avokati Besnik Berisha ka thënë se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka shkelur ligjin me rastin e arrestimit të tij të enjten e javës së kaluar.

Ai ka thënë se prokurori i rastit, Rasim Maloku gjendet në konflikt interesi për shkak të ndjekjes penale të disa klientëve të tij.

Berisha ka thënë se prokurori Maloku ka kamufluar me deklaratën e dëshmitarit Kajtaz Sinani.

“Ai u detyrua me insistimin tonë që të lexonte deklaratat mbi të cilat mbështeste dyshimin e bazuar dhe jam tmerru kur e kam dëgju duke lexuar deklaratën e një burri si Kajtaz Sinani, të cilën aq keq e kishte kamufluar dhe kishte vënë trillimet e tij. Ky është krimi që e ka bërë Rasimi. Deklaratën e një njeriu që e thotë të vërtetën, e kamuflon dhe thotë që gjatë muajve tetor-dhjetor Besnik Berisha ka kërkuar x-y shume për të ndikuar në vendimmarrje juridike”, ka thënë ai.

“Nuk do të hesht për asnjë moment për veprimet e kundërligjshme të atyre që paguhet me taksat tona. Nuk do të ndalem në asnjë moment që të mbrojë të drejtat e secilit avokat, sepse Oda e Avokatëve është shtëpia ime, është familja ime”, ka thënë ai.

“Prokurori pa autorizime për të më arrestuar mua, ai ka manipuluar me prova. Si e kuptuam ne që ai manipuloi me prova? Ai nuk i ka paraqitur provat mbi të cilat më ka arrestuar mua. Ka thënë se nuk i ka provat me vete”, ka thënë Berisha.

“Prita që gjatë intervistimit, prokurori i çështjes me pyetjet e tija ta kuptoja shkakun e arrestimit tim”, vijoi ai. “Meqenëse as nga pyetjet nuk e kuptova arsyen e arrestimit, unë e kuptova që jam privuar nga liria për shkak të kritikave të mia personale publike për ministren, për prokurorin”.