Avokati Arianit Koci ka njoftuar se është autorizuar nga familja e Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit nga Serbia.
Ai ka deklaruar për KOHËN të martën se kanë nisur menjëherë kontaktet me autoritetet e Beogradit, njëherit është në koordinim me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari. Sipas Kocit, ende nuk është identifikuar se ku është trupi i të ndjerit.
“Unë sot jam takuar më nënën e Fatonit të ndjerë, ma ka dhënë autorizimin, ishte së bashku me vëllain e vogël në zyre tek unë. Kam filluar menjëherë kontaktet me autoritetet në Beograd, të njëjtën kohë jam në koordinim edhe me shefin e Zyrës së Kosovës në Beograd, ambasadorin Jetish Jashari. Deri tash disa punë i kemi kryer, sot kam kontaktuar edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore atje, ende nuk e kemi identifikuar se ku është trupi i të ndjerit. Na dhanë si opsion Beograd, Shid ose Novi Sad, posa ta marrë vesh këtë informacion unë do të nisem, shpresoj se nesër apo më së largu pasnesër dhe pastaj vazhdojmë tutje me procedura. Të gjitha dokumentet e nevojshme i kam dhe vazhdoj tutje”, ka thënë Koci.
Sipas avokatit, Zyra ndërlidhëse ka nisur kontaktet dhe deri më tash s’ka pasur telashe, por ende s’dieht “se çka dotë ndodhë nesër në territorin e Serbisë”.
“Zyra ndërlidhëse ka filluar me komunikim me ta, deri tash nuk kemi pasur problem në komunikim nuk e di çka do të ndodhë nesër në territorin e Serbisë, deri tash nuk ka pasur asnjë problem çdo gjë po shkon mirë, kam marrë një punë serioze një mision serioz dhe do ta kryej ashtu siç i kryej të gjitha punët. Nuk po du me ba të madhe por sigurisht se do të kthehem bashkë me trupin e të ndjerit”, ka potencuar ai, derisa u shpreh se nuk pret që brenda ditës të kryejnë punë.