Avokatët: Njerëzit e lidhur me Serbinë dorëzuan prova në Speciale kundër Thaçit e Veselit


Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka publikuar një dokument ku flitet për një dëshmitar i cili në dëshminë fillestare pranë Prokurorisë Speciale të Hagës e kishte ndërlidhur emrat e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit me rrjedhjen e dokumenteve, të cilat më pas u bënë publike nga OVL e UÇK-së, konkretisht Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Personi në fjalë identiteti i të cilit nuk u zbulua e kishte tërhequr deklaratën e tij meqë kishte pretenduar se ishte informuar rrejshëm nga një person i cili kishte lidhje të ngushtë me inteligjencën serbe dhe Prokurorinë Speciale të Hagës.

Avokati Ben Emerson, ka thënë se lidhja e këtij personi me inteligjencën serbe është e qartë, meqë në traksriptën, personi në fjalë njofton Prokurorinë Speciale të Hagës për planin e tij që të udhëtojë në Beograd e ku do të takojë burimin e tij prej të cilit do të marrë shumë përgjigje.

Mbrojtja e Veselit thekson se i ka incizimet e 15 personave të cilët kanë komunikuar me Prokurorinë Speciale të Hagës që nga viti 2017.

Në këtë dokument flitet edhe për biseda të ruajtura të komunikimeve të ndryshme me Prokurorinë Speciale të Hagës.

Gjithashtu thekson se personi i cili ka qenë në kontakt me Prokurorinë Speciale, emri i të cilit mbahet sekret, ka hequr dorë nga pohimet e bëra dhe ka treguar se jo vetëm që ka gënjyer, por edhe që është gënjyer nga një informator i cili thuhet se ka qenë në kontakt të rregullt me Prokurorinë Speciale të Hagë dhe duket që ka qenë pikë kontakti për një numër dëshmitarësh dhe që ka qenë në kontakt direkt me një Prokuror Special.

Të dy dyshohet se janë të lidhur me inteligjencën serbe, sipas ekipit të Veselit.

Lidhur me këtë avokatët e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar që të kenë qasje në komunikimet që këta persona kanë pasur me Prokurorinë Speciale të Hagës, kanë kërkuar fotografimin e bisedave dhe gjithashtu përmendin edhe kontaktet që janë bërë me Jack Smith si Kryeprokuror i Speciales i cili tashmë s’është pjesë e Prokurorisë.

Po ashtu është kërkuar qasje e plotë në të dhënat e paredaktuara të të gjitha kontakteve me të cilat ka biseduar Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë çdo telefonatë, mesazh apo shkëmbim tjetër në mes të personave të aprostrofuar dhe ish-kryeprokurorit Jack Smith.