Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti gjatë seancës së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe tentimit të kryeministrit Albin Kurti që ta nënshtrojë LDK-në.
Ai tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partnerin e koalicionit.
“Mocioni ynë për rrëzimin e kësaj qeverie është i mbështetur në dy parime. E para nuk mund të ketë Qeveri, e cila shkatërron raportet me SHBA-në… E dyta në Qeverinë e Kosovës nuk ka vend për autokraci. Vetëm me bashkëpunim shkojmë përpara”, tha ai.
Zëvendëskryeministri Hoti përmendi disa nga arsyet pse kanë ndërmarrë inicimin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Angazhim i ynë në këtë qeveri ishte i sinqertë bashkëpunues dhe bashkërendues i të gjitha aktiviteteve. Kjo nuk ishte Qeveri e Kurtit, por e VV-së dhe LDK-se si dy partnerë kryesorë përfshirë komunitetet. Ne nuk kemi hyrë në këtë qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me VV, pasi ashtu kishte vendosur sovrani. Ishin të bindur se angazhimet e përbashkëta për t’i dhënë një qeverisje të re ishte qëllimi i dy palëve, por siç u pa, kjo nuk doli e vërtetë. Heqja dorë e kryeministrit karshi dialogut me Serbinë u bë pjesa kryesore e kësaj qeverie në ndërtimin e raporteve me SHBA që për ne ishte i papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë që qeveria të bëhet shkaktare e sanksioneve ekonomike nga SHBA”, tha ai.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti përmes veprimeve të tija ka dëshmuar se nuk dëshiron partneritet me LDK-në.
“Përmes shkarkimit të Agim Veliu, LDK u bind se Kurti po dëshiron shkarkimin nga Qeveria. Veprimi i tij pas shkarkimit të Veliut tregoi qëllimin e vërtetë. Ai emëroi zëvendësministrin nga VV-ja si ushtrues detyre në vend që të emëronte zëvendësministrin e LDK-së në këtë detyrë. Kjo i mundësoi atij shumicën në Qeveri për të marrë vendime pa përfillur votat e partnerit qeverisës siç ka bërë me heqjen e taksës. Kjo nuk është mënyra e qeverisjes. Përmes veprimeve të tilla Kurti dëshmon se nuk dëshiron partneritet, por dëshiron t’i shërbejë atij. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”, tha Avdullah Hoti.