Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Ava Max, i pati të shumta sukseset përgjatë vitit 2020.
Ajo arriti të nxjerrë në shitje albumin e saj të parë për tregun internacional, “Heaven and Hell”, album ky i cili është renditur si albumi i tretë më i dëgjuar i vitit në kategorinë e femrave në Spotidy.
Për sukseset e shumta dhe planet e saj për 2021, Ava, ka folur gjerë e gjatë në një intervistë ekskluzive, dhënë së fundmi për Portalin Telegrafi.
Ndër të tjerash, ajo është pyetur edhe për artistet tjera shqiptare me famë ndërkombëtare si: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.
Nga kjo e fundit para ca kohësh kishin marrë të gjitha një ftesë për një bashkëpunim, i cili ende nuk është realizuar.
Ava Max rrëfeu ekskluzivisht për Telegrafin se vajzat janë në kontakt me njëra-tjetrës, dhe se ku i dihet, ky vit mund të përcaktojë fatin e këtij bashkëpunimi.
“Një bashkëpunim me të gjitha ne femrat nga Shqipëria do të ishte një ëndërr absolute. Kur Bebe Rexha më ftoi për një bashkëpunim unë isha gati të kuptoj diçka! Ne në fakt jemi bërë miq dhe kemi qëndruar afër që nga ajo ftesë. Le të shohim se çfarë na pret në të ardhmen sa i përket një kënge nga të gjitha ne – Unë ju thashë se ka shumë muzikë të re që do të vij në vitin 2021”, ka thënë për Telegrafin Ava Max.
Ajo ndërkohë potencoi se ka edhe plot projekte solo që do të vijnë këtë vit, pasi ka punuar shumë dhe është gati të japë më të mirën për fansat e saj.
“Më shumë muzikë. Shumë më shumë muzikë! Jam e emocionuar vetëm duke menduar për të. “Heaven & Hell” ishte vetëm fillimi. Mezi pres t’i tregoj botës atë që kam ruajtur për vitin 2021. Dua të vazhdoj t’ju befasoj dhe t’ju premtoj se muzika që do të vijë në vitin 2021 (dhe ka shumë) do ta bëjë pikërisht këtë”, ka thënë për Telegrafin artistja me renome botërore.
Ava Max përndryshe depërtoi në tregun ndërkombëtar në vitin 2018 me publikimin e hitit të saj “Sweet but Psycho”, i cili është dëgjuar mbi një miliard herë vetëm në Spotify