AUV: Kafshët për kurban të blihen në ferma, ndërsa therja të bëhet vetëm në thertore

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës të besimit Islam që me rastin e përmbushjes se ritit të therjes së Kurbaneve, për shkak të situatës pandemike COVID-19, shitblerja e kafshëve për kurban të bëhet drejtpërsëdrejti nga ferma tek blerësi, për arsye se të gjitha lokacionet që kanë shërbyer si tregje të kafshëve janë të mbyllura dhe njëkohësisht nxjerrja e kafshëve në hapësira publike dhe grumbullimi i njerëzve është i ndaluar.

AUV thotë se therja e kurbaneve është obligative të bëhet vetëm në thertoret e licencuara/aprovuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të cilat janë nën mbikëqyrjen zyrtare të inspektorëve veterinarë.

Kafsha e cila theret për konsum mbi të gjitha duhet të jetë e  kontrolluar. Andaj në thertore kontrolli kryhet para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ku vlerësohet gjendja shëndetësore e kafshës dhe pas procesit të therjes, mishi ju nënshtrohet kontrollit veterinar për verifikimin e përshtatshmërisë si produkt ushqimor për konsum. Kushtet  teknike, sanitare dhe higjienike në thertoret e licencuara janë adekuate të cilat posedojnë ambient, temperatura dhe pajisje higjienik si kushte për therrje të sigurta, ku pengojnë kontaminimin e mishit nga faktorë të ndryshëm.  

Të gjithë personat fizik dhe juridik, të veprojnë në pajtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe vendimet e Qeverisë, për masat e parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID 19.  Inkurajojmë të gjithë të përdorin masat mbrojtëse gjatë tregtimit prej fermës dhe në thertore. Po ashtu të sigurohen se, kafshët në ferma posedojnë numrin e matrikullit dhe dokumentet tjera, të cilat dëshmojnë mbi origjinën dhe gjendjen shëndetësore të kafshës. Në të gjithë vendin janë mbi 50 objekte të aprovuara për therjen e kafshëve,  të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për qytetaret tanë.

Si shoqëri, të tregojmë nivel të lartë të kulturës duke mos shfaqur imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësirat publike dhe çdo vend tjetër qe nuk është i destinuar për këtë aktivitet. Inspektoratet e nivelit qendror dhe atij lokal, së bashku me policinë do të monitorojnë respektimin e masave dhe ndaj të gjithë shkelësve do të iniciohen procedura konform dispozitave ligjore në fuqi.