Australia ndëshkon me 140 dollarë për mosvendosje të maskës, Kosova deri në 8000 euro


Rajoni Viktoria i Australisë, që është ndër shtetet më të pasura në botë, ka vendosur që t’i bëjë të obligueshme maskat për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit.

Daniel Andreës, kryeministër i Viktorias, tha të dielën se banorët e qytetit Melbourne dhe zonës Mitchell Shire do të ndëshkohen me 200 dollarë australianë apo 140 dollarë amerikanë, nëse nuk vendosin maska, shkruan “CNN”.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Viktoria janë regjistruar 363 raste të reja të koronavirusit dhe shifra e përgjithshme e të prekurve ka shkuar në 5,696.

“Ne do të vendosim maska në Viktoria dhe potencialisht në pjesët e tjera të vendit për një kohë shumë të gjatë”, tha Andreës.

Në anën tjetër, gjobat për mosvendosje të maskave në Kosovë janë shumë më të ashpra.

Afrim Ahmeti, drejtor i Operacioneve në Policinë e Kosovës, në një intervistë ka thënë se dënimet do të jenë të mëdha.

Sipas tij, dënimet shkojnë nga 2 vjet deri në 12 vjet burg, ndërsa për kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse deri në 8 mijë euro gjobë.