Nga 720 mijë euro që Posta e Kosovës i kishte marrë vitin e kaluar si subvencion nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) për shtyrjen e borxheve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, 320 mijë i ka shpenzuar për destinime të tjera. Shkaku i kësaj mospagese, një muaj më parë ATK-ja kishte bllokuar llogaritë bankare Postës, por të cilat u liruan pas intervenimit nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përkatësisht ish-MZHE-ja.
Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Postën e Kosovës janë ngritur dyshime për shpenzim jo të drejtë të këtyre mjeteve nga vetë ndërmarrja dhe mosarsyetimin e destinimit të mjeteve të mbetura.
Sipas ZKA-së, në bazë të vendimit të MZHE-së, Posta obligohet që këto mjete t’i shpenzojë për shlyerjen e obligimeve ndaj ATK-së dhe se i kërkohet që të bëjë një raport me dëshmi bankare mbi shfrytëzimin e mjeteve financiare sipas vendimit.
Por, sipas ZKA-së, mjetet financiare nuk janë shpenzuar dhe nuk janë prezantuar drejt në kontabilitet në bazë të destinimit të përcaktuar nga vendimi i ministrisë së linjës MZHE.
“Këto hyrje të parasë së gatshme ishin prezantuar në kontabilitet si subvencione nga SHUP (Shërbim Universal Postar) për të cilën kategori të subvencioneve “Posta e Kosovës” sh.a është e lirë në përcaktimin e destinimit të mjeteve. Mjetet e subvencionuara në vlerë prej 396,431 euro janë shpenzuar për destinimin e përcaktuar, përkatësisht pagesa e obligimeve ndaj ATK-së, ndërsa pjesa tjetër prej 323,569 euro është shpenzuar për destinime të tjera”, thuhet në raportin e ZKA-së.