Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka shënuar 25 vjetorin e themelimit të saj, me një ceremoni solemne, në të cilën morën pjesë udhëheqës të lartë të shtetit, ambasadorë të vendeve të fuqishme që veprojnë në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në këtë ngjarje të veçantë, të pranishmit vlerësuan rrugëtimin e ATK-së gjatë çerek shekullit të fundit, duke theksuar rolin e saj kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës. Fjalimet kryesore u fokusuan në sfidat e tejkaluara, mbështetjen ndërkombëtare të dhënë ndër vite, reformat institucionale, proceset e digjitalizimit dhe arritjet rekorde në rritjen e të hyrave.
Drejtori i Përgjithshëm z.Ilir Murtezaj në fjalimin e tij tha se “misioni i ATK-së është ngritja e nivelit më të lartë të përmbushjes vullnetare në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi, si dhe ofrimi i shërbimeve profesionale, transparente dhe efektive për tatimpagues. ATK-ja ka obligim të vendosur me ligj që të siguroj zbatim të njëtrajtshëm të dispozitave ligjore për të gjithë tatimpaguesit, në mënyrë të njëjtë për situata të njëjta. Ne drejtuesit dhe gjithë punonjësit e Administratës Tatimore të Kosovës, këtë mision e konsiderojmë si mision të shenjtë dhe punojmë shumë që askush dhe asnjëherë të mos guxoj të shkelë mbi këtë mundësi që na është ofruar për t’i shërbyer vendit tonë.
Tutje, ai theksoj se si rezultat i punës profesionale, me integritet dhe ndershmëri, efektivitet dhe transparencë, Administrata Tatimore e Kosovës për këto 25 vite ka mbledhur mbi 8 miliardë euro tatime, dhe mbi 3 miliardë euro kontribute pensionale. Pra, gjithsejtë mbledhje të të hyrave mbi 11 miliardë euro. Po ashtu, i pari i ATK-së tha se krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam me reformim institucional, reforma këto të cilat transformuan institucionin e ATK-së, nga një administratë tatimore modeste në një administratë tatimore moderne.
Ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, në fjalimet e tyre, e vlerësuan lart angazhimin dhe përkushtimin e ATK-së për të ndërtuar një sistem tatimor të drejtë dhe të qëndrueshëm, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të dhënë përmes projekteve dhe ekspertizës ndërkombëtare.
Përfaqësuesja nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës znj.Eileen Devitt tha se është nder i madh për mua që të jem sot këtu për të shënuar këtë moment të rëndësishëm – 25 vjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky përvjetor nuk është thjesht një shënim i kalimit të kohës, por një dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe suksesit të arritur nga ky institucion në ndërtimin e themeleve të qëndrueshme për të ardhmen e Kosovës.
Sistemi tatimor është themeli mbi të cilin ngrihet një shtet i fortë dhe i qëndrueshëm. Një administratë tatimore e besueshme dhe efikase jo vetëm që siguron burime për zhvillimin ekonomik dhe shërbimet publike, por gjithashtu rrit besimin e qytetarëve në institucione dhe në drejtësinë e sistemit.
SHBA-ja ka qenë dhe mbetet krenare për mbështetjen që ka ofruar në zhvillimin e Administratës Tatimore të Kosovës. Kjo mbështetje ka përfshirë trajnime, ndihmë teknike dhe partneritet për të avancuar proceset e digjitalizimit, transparencës dhe llogaridhënies. Jemi të lumtur që kemi qenë pjesë e rrugëtimit tuaj, dhe rezultatet flasin vetë: të ardhurat rekord, reformat e guximshme dhe ndërtimi i një administrate moderne që i shërben qytetarëve të saj me efikasitet dhe integritet.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë z.Jonathan Hargreaves, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e 25-vjetorit të Administratës Tatimore të Kosovës, vlerësoi bashkëpunimin afatgjatë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në ndërtimin e kapaciteteve institucionale të ATK-së. Ai theksoi kontributin e ekspertëve britanikë në avancimin e proceseve kyçe, si menaxhimi i riskut, lufta kundër evazionit fiskal dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve. Ambasadori nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare për të siguruar një sistem tatimor modern, transparent dhe të drejtë, duke shprehur gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur më tej reformat dhe zhvillimin e mëtejshëm të ATK-së.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Joern Rohde, në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të Administratës Tatimore të Kosovës, theksoi mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman ka ofruar përmes organizatës GIZ. Ai vlerësoi rezultatet e dukshme të këtij bashkëpunimi, duke përfshirë forcimin e kapaciteteve institucionale të ATK-së, përmirësimin e procedurave tatimore dhe zhvillimin e sistemeve të digjitalizuara. Ambasadori nënvizoi se përkushtimi i Gjermanisë për të mbështetur Kosovën në ndërtimin e një administrate moderne dhe të përgjegjshme do të vazhdojë, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit.
Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar z.Sebastian Sosa, në fjalën e tij gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të Administratës Tatimore të Kosovës, vlerësoi përparimin e jashtëzakonshëm të ATK-së në ndërtimin e një administrate tatimore efikase dhe transparente. Ai theksoi se ATK ka luajtur një rol të rëndësishëm në sigurimin e të hyrave të qëndrueshme për buxhetin e Kosovës, duke ndihmuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit. Përfaqësuesi i FMN-së u shpreh se institucioni që ai përfaqëson mbetet një partner i përkushtuar në mbështetjen e reformave dhe përmirësimin e mëtejshëm të proceseve tatimore në Kosovë.
Ndërsa, Kryetari i Odës Ekonomike te Kosovës z.Lulzim Rafuna tha se sot është një ditë e veçantë, pasi shënojmë 25 vjetorin e themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, një institucion që ka luajtur një rol jetik në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në këto dy dekada e gjysmë, ATK jo vetëm që ka përmbushur misionin e saj për të mbledhur të hyrat publike, por ka ndikuar thellësisht edhe në ndërtimin e një kulture të re të vetëdijes tatimore. Nëpërmjet punës së saj të palodhshme, ATK ka ndërgjegjësuar qytetarët dhe bizneset se pagimi i tatimeve nuk është vetëm një detyrim ligjor, por edhe një akt përgjegjësie shoqërore, që kontribuon direkt në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë.
Ngjarja u përmbyll me një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin e ATK-së ndër vite dhe një zotim për të vazhduar përpjekjet drejt modernizimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.