Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, ka shkruar për një soprano kosovare e cila vullnetarisht po e ofron ndihmën e saj për ta ndihmuar stafin mjekësor dhe pacientët në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë.
Pasi është kujdesur për babanë e saj të infektuar me COVID-19, Baki Jasharin, i cili po ashtu është maestro i Filarmonisë së Kosovës, ajo vendosi t’i veshë mjetet mbrojtëse dhe të kthehet në Klinikën e Pulmolgjisë për të ofruar çfarëdo lloj ndihme, transmeton Klan Kosova.
“Ju u jepni atyre shpresë kur jeni pranë. Ata e dinë se ju jeni këtu për të ndihmuar”, ka thënë Arta Jashari për Associated Press.
Ajo nuk ka të kryer ndonjë trajnim mjekësor, por i ka ndihmuar mjekët në çfarëdo mënyrë që ka mundur, duke ofruar ndihmë për ata që vuajnë në klinikë apo në shtëpi.
Falmur Marku – mjek i mushkërive në klinikë, ka thënë se e admiron Arta Jasharin e cila e rrezikon shëndetin e saj për t’iu dhënë një farë ngushëllimi atyre që vuajnë. Ai ka shtuar se në fillim ishte “e vështirë të kuptohet pse po e rrezikon shëndetin e saj”.
Në mbrëmje, Jashari i heq masat mbrojtëse dhe bëhet gati për të performuar me Filarmoninë e Kosovës, e cila lejohet të mbajë koncerte me një numër të kufizuar spektatorësh.
Jashari ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Berlinit dhe Lubjanës. Ajo thotë se i mungon intensiteti i një sezoni të plotë me koncerte të cilat tani mbahen kryesisht me një audiencë shumë të kufizuar.
32 vjeçarja këmbëngul se vullnetarizmi në spital dhe performimi i drejtpërdrejtë për audiencën kanë më shumë gjera të përbashkëta sesa që mund të mendohet.
“Të dyja ato japin aq shumë shpresë dhe emocione”, thotë ajo.