Një ditë pas kryesuesi i seancës, Avni Dehari i VV’së, me udhëzime partiake e ndërpreu “shfaqjen” e radhës në Kuvendin e Kosovës, nuk ka ndonjë sinjal se ngërçi do të tejkalohet. Ish-Kryeparlamentari Glauk Konjufca shfrytëzoi daljen në foltore për të çuar mesazhe se VV është pro një marrëveshje mes partive. Por, oferta e tij zgjati vetëm deri në deklaratën e kolegut të tij Hekuran Murati, i cili la të kuptohet se propozimi i vetëm i VV’së për kryetare Parlamenti është Albulena Haxhiu. Nga PDK, LDK, AAK po ashtu nuk shfaqën ndonjë disponim për t’u angazhuar në biseda për ndonjë ujdi.
sh-kryeparlamentari Glauk Konjufca po vazhdon të përdorë një gjuhë më “unifikuese” në legjislaturën e re të Kuvendit për të arritur synimin e partisë së tij që Albulena Haxhiu ta pasojë atë në këtë pozitë. Propozimi i tij për marrëveshje me partitë tjera parlamentare për të zhbllokuar këtë proces dhe për arritur konstituimin e Kuvendit po duket të jetë bërë sa për “sy e faqe”. Bashkëpartiakët e tij s’po flasin me gjuhë të njëjtë dhe refuzuan ashpër disa propozime që do të çonin në një marrëveshje.
Dy gra nga Vetëvendosje do t’i votonte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëse emrat e tyre do të propozoheshin nga partia. Me votat e partisë së Ramush Haradinajt do të mund të zhbllokohej procesi i zgjedhjes së kryeparlamentarit pasi tri herë dështoi zgjedhja e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit.
Haradinaj tha se partia e tij do të votonte për deputeten Saranda Bogujevci ose për deputeten Shqipe Selimi.
Të dyja këto reaguan ndaj këtij propozimi të AAK-së. Më e ashpër ishte Bogujevci.
Ajo tha se nga një “amatere” tani u shndërrua në “të denjë” për pozitën e kryeparlamentarit.
“Propozim nga ata që nuk e kanë të drejtën për me propozu, tek ata që dojnë me determinu rrjedhen e politikës tane, ama për vete mos me ju perzi kërkush e deri tek studiot televizive ku nuk lanë gjë të zezë pa thane deri dje, përfshi edhe kur thonin se si une jam amatere dhe nuk jam e denjë për me udhëheqë seancë e tash qenkam personi i preferuar për pozitën e kryetares së Kuvendit. Shumë interesant. Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytezojn të tjerët e tash po get këta po dojnë me mendu me gjynah për pozicion”, shkroi Bogujevci.
Ajo i tha opozitës se “nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosë populli”.
“Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim”, tha Bogujevci për kandidaturën e Haxhiut.
Edhe Shqipe Selimi tha se s’i takon AAK-së të propozojë emra në vend të Vetëvendosjes.
“Ne në politikë jemi për shkak se i përkasim një subjekti politik, partisë VV. E VV cilindo anëtarë që e propozon për cilindo post, ne i pranojmë dhe e kryejmë me nder secilën detyrë. Por këtë propozimin e AAK-së normalisht që kanë të drejtë të propozojnë, por jo në këtë rast. Sepse në këtë rast i bjen që VV ta ketë propozimin për kryeparlamentar. Ne e kemi propozuar dhe tashmë e kemi propozimin dhe atë e mbështesim. Kjo është. Atyre u mbetet vetëm të votojnë Për, kundër apo abstenim, siç e përkufizon dhe Kushtetuta”, tha ajo për Indeksonline.
Në seancën e djeshme, Konjufca tha se përderisa partitë opozitare s’kanë ndërruar qëndrim për emrin e Haxhiut dhe po ashtu as partia e tij për të propozuar emrin e njëjtë, propozimi s’doli hiç në votim.
Në vend të kësaj, ai propozoi marrëveshje politike.
“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike”, tha Konjufca.
Por, ai dha një lloj paralajmërimi se nëse partitë opozitare s’e votojnë emrin që ua sjell Vetëvendosje, as këta s’do të votonin për nënkryetarët që do t’i propozonin partitë tjera.
“Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit. Pa krijimin e një mazhorance këtu në Kuvend nuk do të mund të themelohet vetë Kuvendi, mirëpo kjo e njëjta logjikë është edhe për nënkryetarët”.
Por, përveç Konjufcës, të gjithë bashkëpartiakët e tij që folën për këtë çështje s’kishin të njëjtën qasje për “marrëveshje politike”.
Në vend të marrëveshjes, deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, hodhi akuza ndaj partive opozitare se po e bllokojnë qëllimisht konstituimin e Kuvendit.
Deputeti Abrashi ka thënë se partitë politike duhet t’i përgjigjen një kërkese të LVV-së për konsultime sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Por, nuk e ka lënë të hapur mundësinë e ndërrimit të emrit të kandidatit të tyre në rast të ndonjë marrëveshje politike.
“Propozimi për kryetar të Kuvendit është e qartësuar shumë mirë se i takon subjektit të parë dhe nuk është çështje që e ne e diskutojmë me partitë e tjera, sepse kjo krijon një precedent tjetër që edhe ne të ja propozojmë emrat për kryetar. Konsideroj se opozita është shumë mirë e informuar se si duhet të veprohet në këtë situatë, por cili është motivi për bllokimin e Kuvendit kjo është e paqartë”, tha Abrashi për RTV21.
Deputeti tjetër, Hekuran Murati, shkoi edhe më tej, duke ua bërë “obligim” opozitës votimin pro Haxhiut.
“Kushtetuta është mjaft e qartë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë që është e drejtë ekskluzive e partisë fituese që ta propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi. Ndërsa për dallim prej mënyrës se si formohet qeveria ku partia fituese duhet ta sigurojë edhe shumicën, te votimi për Kryesinë e Kuvendit, kryetarin dhe nënkryetarët, kemi edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese që të gjithë deputetët duhet të jenë prezentë dhe kanë për obligim që të votojnë. Pra duhet të marrin pjesë në votim të gjithë deputetët sepse është detyrë e të gjitha partive parlamentare që ta konstituojnë Kuvendin”, tha dje ai.
Përveç Haradinajt që ka shprehur qëndrimet e tij se do të votonin vetëm njerëz të caktuar brenda Vetëvendosjes, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur Albulena Haxhiun “figurë përçarëse”.
“Rikandidimi, për herë të tretë, i të njëjtës figurë përçarëse që ka dështuar dy herë, nuk është këmbëngulje. Është akt përçarës – me një qëllim të vetëm: bllokimin”.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, duke komentuar propozimin e Vetëvendosjes për Albulena Haxhiun kryeparlamentare, tha se askush nga ata që kanë sulmuar Kuvendin nuk do të duhej as të propozohej as të zgjidhej.
“Askush nga kontigjenti i njerëzve që e kanë sulmuar Kuvendin, institucionin ligjvënës të Kosovës, nuk do të duhej as të propozohej as të zgjidhej në detyrën e kryetarit të Kuvendit. As njerëzit që kanë bërë ligje antikushtetuese”, ka shkruar Hamiti.