Dialogu Kosovë-Serbi i zhvilluar gjatë këtij viti nuk solli kurrfarë rezultati konkret.
Dakordimet nuk kanë mungur, por marrëveshjet e arritura më herët mes dy palëve në kuadër të dialogut vazhdojnë të mos gjejnë zbatim.
Deputetët e pozitës dhe opozitës dhe njohës të këtij procesi nuk presin rezultat në dialog deri në vitin 2025.
Deputeti i VV-së: Serbia nuk ka për qëllim marrëveshjet, por blerjen e kohës
Anëtari i Komisionit për Integrimeve Evropiane nga radhët e VV-s, Agon Batusha ka thënë për Front Online se shteti serb nuk ka për qëllim marrëveshjet, por blerjen e kohës.
Ai ka përmendur disa situata që, sipas tij, tregojnë që gjasat për marrëveshje mes palëve janë minimale.
“Deklarimi i hapur i kryeministrit të Serbisë qe nuk e kanë pranuar planin franko-gjerman, letra e ish-kryeministres së Serbisë dërguar BE-së, si dhe mos dorëzimi i terroristëve dhe udhëheqësve të krimit të organizuar në Kosovë (Radoiqiçit dhe grupi i tij), vazhdimi i trajnimeve për grupeve terroriste që po ndodh ne territorin e Serbisë, bëjnë qe gjasat për marrëveshje të ulen dukshëm, sepse siç shihet Serbia nuk ka qëllim marrëveshjen, por blerjen e kohës”, tha Batusha.
Deputeti Batusha theksoi se me ndërmjetësuesin e ri në dialog mund rriten gjasat për marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai tha se duhet të marr fund qasja jo e balancuar e ndërmjetësuesit aktual.
“Ndërmjetësuesi i ri natyrisht qe do të bjerë energji te re dhe ndoshta frymë me pozitive ne dialog. Duhet të marre fund qasja jo e balancuar e ndërmjetësuesit dhe në këtë mënyrë mund të shtohen gjasat për një marrëveshje gjithëpërfshirës dhe përfundimtare me njohjen në qendër të saj”, theksoi Batusha.
Deputeti i PDK-së: Kurti ka filluar fushatën, veprimet i bënë për interesa politike
Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, njëherësh zv.kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme ka folur për Front Online lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Haliti nuk ka pritshmëri se këtë vit mund të ketë zbatim të marrëveshjeve.
Ai thotë se Kurti s’ka kohë për asgjë tjetër, përpos për fushatën elektorale që tashmë e ka filluar.
“Nuk pres që të filloj zbatimi i marrëveshjeve”, theksoi Haliti.
Deputeti Haliti tha se kryeministri Kurti po përpiqet të rezistoj karshi dialogut, për të treguar në fushatë që s’ka shitur asgjë.
“Presioni i madh i brendshëm dhe i jashtëm mund të ndikojë që të fillojë zbatimi i marrëveshjeve, por ne kemi hyrë në vitin zgjedhor dhe Kurti do përpiqet që të rezistoj me qëllim që fushatën ta bëjë për interesat e veta politike, në mënyrë që elektoratit të vetë t’i tregoj që nuk ka premtuar të shes asgjë siç thotë ai”, shprehet Haliti.
Krasniqi i LDK-së: Marrëveshja e Ohrit, dështimi i Qeverisë Kurti
Lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve ka folur për Front Online kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Krasniqi deklaron se zbatimi i Asociacionit është kusht i qartë për Kosovën, i cili është dëshmi i negocimit të Qeverisë.
Ajo thotë se ndryshimi i ndërmjetësuesit nuk sjell të reja në procesin e dialogut.
“Politika e jashtme e BE-së, nuk ndryshon me ndryshimin të ndërmjetësuesit sepse nuk ka ndryshuar as në të kaluarën, kemi disa ndërmjetësues që deri me tani kanë ndryshuar. SHBA-ja e ka bërë të qartë se mbështet BE-në në qasjen e saj të dialogut. Kushtëzimi për Kosovën është i qartë, se pa nis zbatimin e Asociacionit nuk ka asnjë rrugë të hapur për Kosovën e kjo është dëshmi i negocimit të kësaj qeverie”, thotë Krasniqi.
Deputetja Krasniqi foli edhe për masat e BE-së kundër Kosovës, e cila tha se me këto, vendi humbi miliona euro.
Krasniqi shtoi se vendet anëtare e kanë theksuar se të dyja palët duhet t’i zbatojnë obligimet e tyre.
“Për Kosovën ende janë aktive masat e BE-së, dhe miliona euro ka humbur Kosova nga këto masa. Kushdo që të lehtësojë dialogun në emër të BE, duhet të ndjekë mandatin dhe detyrat që i caktojnë vendet anëtare, dhe nuk ka lidhje kjo me individët e caktuar. Vendet anëtare janë të njëzëshme se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura”.
Deputetja e LDK-së tregoi se partia ku bënë pjesë ajo e ka vlerësuar si marrëveshje të dëmshme atë të Ohrit.
Ajo madje ka përmendur disa dëme që e prekin Kosovën.
“Ne si LDK, e kem vlerësuar si marrëveshje të dëmshme atë të Ohrit, dhe me obligime e kushtëzime të reja për Kosovën, madje edhe duke e cenuar sovranitetin e Republikës me nenet specifike. Ne kemi dëgjuar Kurtin të thotë se ka njohje de-facto. Nuk është e vërtetë, sepse njohja nuk përmendet në marrëveshje dhe nuk është aspak e qartë se çka fiton Kosova nga kjo marrëveshje. Nuk kemi garanca për njohje të reja, nuk kemi garanca se ku do të arrijmë ne me këtë marrëveshje. Kjo është dështim i kësaj qeverie”.
Analistët: Nuk priten zhvillime këtë vit në dialog
Analistët politik në Kosovë e kanë vlerësuar se procesi i dialogut e ka përfunduar ciklin e këtij viti dhe nuk presin se do të ketë ndonjë zhvillim në aspektin e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj tha për Front Online se Miroslav Lajçak e ka lënduar procesin e dialogut.
“Jam skeptik se për gjatë këtij viti dhe sa ju vazhdua mandati Lajçakut mund të ketë zbatim të marrëveshjeve. E ka lënduar procesin dialogues dhe po ashtu zbatimin e marrëveshjeve Lajçaku dhe për katër vite nuk ka pas progres. Lajçakut i mungon besimi nga ana e palës kosovare”, deklaroi ai.
Ukaj thotë se ndërmjetësuesi i ri duhet të vjen me një strategji të zbatimi të marrëveshjeve.
“Ndërmjetësuesi i ri që mund të vjen në janar të 2025 që duhet të vjen nga një shtet që e ka njohur Kosovën dhe besimin e palës kosovare me një strategji të zbatimit, ky do të ishte çelësi i zhbllokimit të procesit dialogues, nëse shkohet kështu me kushte për Asociacionin në raport me Kosovën procesi do të vazhdoj sic është deri më tani”, thotë ai.
Njohësi tjetër i politikës, Visar Xani vlerësoi për Front Online se dialogu këtë vit po e mbyll ciklin.
Sipas tij, afër zgjedhjeve partitë mendojnë për aspektin elektoral se sa nacional.
Ai thotë se Qeveria nuk ka shprehur gatishmëri për zbatim të marrëveshjeve ku ka kompromise.
“Dialogu po e mbyll ciklin se nuk pritet të ketë ndonjë zhvillim të këtyre marrëveshjeve, jemi dhe në fushatë parazgjedhore pothuajse dhe partitë politike mendojnë më shumë nga aspekti elektoral se nacional. Qeveria nuk shpreh gatishmëri për ti zbatuar ato marrëveshje, sidomos pjesën që ka kompromis. Mund të kemi nja strategji tjetër te dialogu diku ka mesi i vitit 2025 se atëherë mund të jenë figura të reja të kyçura në procesin e dialogut”, u shpreh ai.
Kosova dhe Serbia në vitin 2011 patën arritur disa marrëveshje, përfshirë këtu atë për lirinë e lëvizjes, energjinë, regjistrin civil, marrëveshje për drejtësi e rivitalizim të urës së Ibrit, e cila u ratifikua në Kuvend në vitin 2013. Në vitin 2023 u arrit edhe marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi e cila ende nuk po gjen zbatim.