Asnjë pandemi s’përfundon në mënyrë të përnjëhershme

Infektologu Valbon Krasniqi thotë se pavarësisht rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit, s’ka vend për dëshpërim e zhgënjim.

Një ditë para fillimit të fazës së dytë të zbutjes së masave, Krasniqi thotë se situata aktuale me koronavirus është nën kontroll.

“Asnjë pandemi nuk përfundon në mënyrë të përnjëhershme. Situata është e menaxhueshme. Jemi në rrugë të drejtë. Mbani maskat, dezinfektoni duart rregullisht, vazhdoni të mbani distancën fizike, dhe suksesi është i garantuar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Me shtatë rastet e reja të konfirmuara sonte nga IKSHPK-ja, bilanci i përgjithshëm i të prekurve me koronavirus në vendin tonë ka arritur në 985, prej tyre 736 të shëruar dhe 29 të vdekur.

Nesër nis faza e dytë e lehtësimit të masave sipas të cilave do të ketë lëvizje më të madhe të qytetarëve, përkatësisht katër orë në vend të tri sa ishin në fazën e parë që ishte në fuqi nga data 4 maj.

Në këtë fazë, e cila do të zgjasë deri më 1 qershor, do të rihapen floktarët, sallonet e ondulimit, stomatologët dhe fizioterapeutët, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia (merre-me-vete), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban (me leje të veçanta), qendrat e thirrjeve telefonike (me lista të stafit esencial), si dhe hapja e galerive dhe muzeve.