Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot publikoi të dhënat paraprake të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.
Të dhënat paraprake përfshijnë: numrin e popullsisë në nivel vendi dhe komune të ndarë sipas gjinisë, moshës mesatare, dendësisë së popullsisë në km², numrin e banesave.
“Sipas rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos 2024), numri i popullsisë rezidente në Kosovë të regjistruar është 1 586 659, prej tyre 795 046 janë meshkuj dhe 791 614 femra.
Sipas të dhënave paraprake të ReKos 2024, mosha mesatare është 34.82 vjeç (rritje për 4.85 vjet), krahasuar me vitin 2011, ku mosha mesatare e popullsisë ishte 29.97 vjeç..
Dendësia e popullsisë në 1 km² është 145.5 banorë (2024), krahasuar me 159.5 banorë (2011).” – ka njoftuar ASK.
Për numrin e banesave në nivel komuna prijnë Prishtina, Prizreni dhe Ferizaj.
Nga gjithsej 38 komunat e Kosovës, 9 prej tyre kishin rritje të numrit të popullsisë, kurse 29 të tjera kishin zvogëlim të numrit të popullsisë.
“Numri i Ekonomive Familjare në nivel komune ishte 353 702 në vitin 2024, krahasuar me 297 090 sa ishin në vitin 2011. Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare është 4.5 banorë në vitin 2024, krahasuar me 5.9 banorë në një ekonomi familjare sa ishte në vitin 2011 (zvogëlim për 1.4 banorë).
Regjistrimi i Popullsisë (ReKos 2024) u zhvillua në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Mbi 99.8% e objekteve të kodifikuara duke përfshirë edhe ato të reja u mbuluan nga Regjistrimi.
Në 4 komunat veriore të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë pati bojkotim në masë të madhe, përkundër që një pjesë e tyre u regjistruan”, thuhet tutje në njoftimin zyrtar të lëshuar nga ASK.