ASK: Kosova ka 1 milion e 586 mijë banorë – diaspora ka rreth 600 mijë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat preliminare nga regjistrimi i fundit i popullsisë.

Sipas ASK-së në Kosovë jetojnë 1 milion e 586 mijë e 659 banorë, ku nga ta 759 mijë e 46 i përkasin gjinisë mashkullore, kurse 791 mijë e 614 i përkasin gjinisë femërore.

Po ashtu u bë e ditur se në rezultat preliminare, në diasporë janë regjistruar rreth 600 mijë qytetarë.

Gjatë prezantimit të të dhënave preliminare, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, bëri të ditur se mosha mesatare e popullsisë në Kosovë është rirtur për 4.85 vjet, krahasuar me vitin 2011.

“Në vitin 2011, mosha mesatare ishte 29,97 vjet, kurse në vitin 2024, sipas të dhënave preliminare mosha mesatare është 34.82 vjet (rritje për 4.85 vjet)”.

“Nuk ka ndryshime në raportin gjinor, meshkujt dominojnë me një përqindje shumë të vogël krahasuar me vitin 2011. Femra 49.9, meshkuj 50.10”, tha Kastrati, njoftn Klankosova.tv.

Më tej, Kastrati tha se grupmosha që dominon në regjistrimin e fundit është ajo 20-24 vjeç, për dallim nga viti 2011 ku dominonte grupmosha 10 deri në 19 vjeç.

“Dendësia e popullsisë në 1 kilometër katror në vitin 2011 ishte 159.5, kurse tash është 145.5. Tri komunat me dendësinë më të madhe për kilometër katror është Fushë Kosova me 762 banorë, Mamusha me 513 banorë dhe Prishtina me 434 banorë”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Kurse, Kastrati bëri të ditur se numri mesatar i anëtarëve në një familje ka rënë për 1.4 banor, krahasuar me vitin 2011.

“Ekonomitë familjare, në vitin 2011 ishin 297 mijë e 90, kurse tash 353 mijë e 702. Kjo nënkupton se ekonomitë familjare janë zvogëluar. Numri mesatar i anëtarëve në një ekonomi familjare tash është 4.5 banorë, nga 5.9 banorë sa ishte në vitin 2011” , tha ai.