Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) e ka konsideruar si të suksesshëm procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili përfundoi të premten [dje].
Në ceremoninë përmbyllëse të shtunën mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti e përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që ndihmuan në proces.
ASK-ja ka falënderuar të gjithë qytetarët “që me pjesëmarrjen e tyre gjatë këtyre javëve bashkëpunuan afër me regjistruesit për një projekt të tillë madhor dhe të rëndësishëm për Kosovën”.
“Një falënderim i veçantë dhe meritor për regjistruesit dhe mbikëqyrësit për punën e tyre si persona kontaktues me qytetarët, përfaqësuesit nga komunat e Kosovës, Komisionin Qendror të Regjistrimit, grupin punues për siguri kibernetike, Policinë e Kosovës, institucionet e tjera qeveritare dhe jo qeveritare, partitë politike pa dallim që mbështetën projektin e Regjistrimit të Popullsisë, Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës dhe Zyrën e Presidencës”, thuhet në njoftim.
Regjistrimi i popullsisë, “si një nga projektet më madhore dhe më komplekse të një vendi në kohë paqeje, përkundër sfidave dhe kompleksitetit që ka pasur, u realizua me shumë sukses”.
“Suksesi është arritur falë bashkëpunimit dhe koordinimit që ka pasur ASK-ja me institucionet e tjera (vendore e ndërkombëtare). Realizimi i Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024) është një dëshmi se institucionet tona mund të arrijnë të realizojnë projekte në nivel kombëtar e ndërkombëtar”, vijon njoftimi.
Regjistrimi i popullsisë kishte filluar më 5 prill. Planifikohej të përfundonte më 17 maj, por u shty për një javë me kërkesë të komunave.
Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.